Në finalen e mbrëmshme, Lukaku e la shenjën e tij, edhe nëse jo siç pritej. Sulmuesi i Interit e shkruajti emrin e tij në dy gola, gjatë finales së “Europa League”, por në njërin nga rastet shënoi në portën e gabuar. Devijimi i topit prej tij, në rastin e roveshiatës së bukur të Diego Carlos, përfundoi në rrjetën e Interit, duke i hapur rrugën triumfit të andaluzianëve. Një “shaka e egër” për belgun, që i kishte bërë të ëndërronin tifozët zikaltër. Këta të fundit, teksa “hanë thonjtë” e tyre, janë të detyruar të durojnë edhe ngacmimet e homologëve të… Manchester United.
Frika se ish-qendërsulmuesi i tyre do ta fitonte trofeun si yll, ndër të tjera duke mposhtur ekipin, që eliminoi “Djajtë e Kuq” në gjysmëfinale, ishte e dukshme te tifozët e skuadrës nga “Old Trafford”. Dhe, pas avantazhit momental të Interit, shumë prej tyre kishin filluar me mesazhet: “Prisni se ka ende lojë…” Në fund të fundit, tifozët e Manchester United kurrë nuk kanë pasur një pozicion të paqartë në lidhje me lamtumirën e belgut. Disa e morën atë si një çlirim, të tjerët si demonstrim tjetër se në “Old Trafford”, as lojtarë të klasit botëror nuk mund të performojnë në maksimum. Një përshtypje që sezoni i parë zikaltër i Lukakut, me 34 gola në llogarinë personale, duket se konfirmon plotësisht.
Lukaku’s first touch happened my friend
— Ayanfe (@Ayanfe_Tweet) August 21, 2020
Por, më pas erdhi fatkeqësia…, goli numër 35, i vetmi në portën e gabuar. Dhe rrjetet sociale shpërthyen. “Lukaku shënon si Ole në finale, është për të ardhur keq që e bën këtë në portën e gabuar”, – komentoi dikush, duke bërë lidhjen mes autogolit fatal të belgut me golin e Solskjaer, i cili në vitin 1999 i dha trofeun Manchester United në finalen e Champions-it, kundër Bayern Munich. Dikush tjetër shkroi edhe më keq: “Më në fund, kontrolli i parë i topit nga Lukaku dhe gol…”. Referenca është e qartë për teknikën themelore të sulmuesit, një nga arsyet pse shumë e kritikuan atë në Manchester. Fraza më e njohur? “Ky është Lukaku që njohim”, i përsëritur në disa “tweet”, pas autogolit të belgut. Megjithatë, këto shaka nuk e eklipsojnë aspak kontributin personal të sulmuesit, i cili zhvilloi një sezoni mbresëlënës, pavarësisht se në fund mbeti duarbosh, pa trofe.