Nga Lisbona, ku ndodhet me Bayernin e tij për të luajtur finalen e Ligës së kampionëve përballë Paris Saint Germain, Karl-Heinz Rummenigge ka gjetur kohën për të dhënë një intervistë për mediat italiane.
Duke qenë se sonte luhet finalja e Ligës së Europës, presidenti i klubit bavarez nuk mund të shmangte komentet në lidhje me Interin, skuadër me të cilën është aktivizuar për 3 sezone, duke shënuar 42 gola në 107 ndeshje.
“Kam folur në telefon me mikun tim të vjetër, Marottën dhe i kam thënë se dua një fundjavë të jashtëzakonshme, për të festuar të dy skuadrat e mia. Do të ishte bukur t’i ritakoja në Budapest për Superkupën e Europës”, deklaroi Kalle.
Bayerni dhe Interi do të takohen javën e ardhshme për të folur edhe për të ardhmen e sulmuesit kroat Ivan Perisic, i cili është i huazuar te bavarezët, ndërsa Rummenigge ka komentuar edhe zërat për një transferim të mundshëm të Lionel Messit te zikaltrit.
“Perisic është një futbollist që më pëlqen shumë mua, por i pëlqen edhe trajnerit Flick,. Nuk është lojtar spektakolar, por lë gjithmonë shenjë në fushën e lojës dhe ka një rendiment për t’u admiruar. Megjithatë për gjithçka do të flasim me Interin në përfundim të angazhimeve europiane. Messi te Interi? Të jem i sinqertë, shpresoj që Messi të mbetet te Barcelona, sepse futbollistë si ai duhet ta mbyllin karrierën në klubin ku kanë shkruar historinë. Sigurisht që te Interi do të bënte shumë mirë, por ai duhet të mbyllë karrierën te Barça”, u shpreh Rummenigge.