Klubi i futbollit Prishtina ka thënë se ishin autoritetet e Gjibraltarit ato që s’lejuan zhvillimin e ndeshjes me Lincoln Red, dhe jo UEFA.
Në një njoftim të klubit, të parin sot për anulimin e ndeshjes parakualifikuese për Ligën e Evropës, klubi kryeqytetas ka thënë se i plotësonte kushtet për zhvillim të ndeshjes.
Takimi i sotëm u anulua për shkak se tetë futbollistë të Prishtinës rezultuan pozitivë në testimet për koronavirus.
“FC Prishtina, sipas rekomandimeve të UEFA-s ishte testuar paraprakisht tre dhe katër ditë para ndeshjes më 14 dhe 15 gusht. Të gjitha rezultatet e IKSHPK-së për 41 personat e ekspeditës të klubit kishin dal negativ me raport të plotësuar zyrtar. Sipas rekomandimeve të UEFA-s, testi i ndeshjes duhet bërë 72 orë para fillimit të takimit dhe i njëjti është bërë në ambientet e aeroportit të Gjibraltarit me të mbërri skuadra dje, e hënë 17 gusht. Pas më se 27 orëve, skuadra ka pranuar rezultat e laboratorit të licencuar nga UEFA ‘Synlab’ me që rast kanë dal pozitivë 8 futbollistë. FC Prishtina i kishte në dispozicion 14 futbollistë (pa dy portierët rezervë) dhe plotësonte kushtin e protokollit të UEFA-s që ndeshja mund të zhvillohet me 13+ futbollistë. Por, autoritetet e alarmuara të Gjibraltarit nuk kanë lejuar një gjë të tillë deri sa klubi është i informuar nga delegati i ndeshjes. Delegati i ndeshjes dhe vetë UEFA zyrtare nuk ka marrë asnjë vendim”, thuhet në sqarimin e klubit.
Prishtina tutje ka thënë se gjatë mbrëmjes do të fluturojë për në Kosovë teksa po e pret vendimin e UEFA-s.
“FC Prishtina njofton se të gjitha kërkesat nga UEFA janë përfillë me përpikëri. Konsiderojmë, se sipas protokolleve të kërkuara nga UEFA, ndeshja është dashur të zhvillohet. FC Prishtina i ka bërë të ditur në komunikim direkt delegatit të UEFA-s, ndërsa shumë shpejtë do të informojë edhe zyrtarisht organit më të lartë të futbollit evropian. FC Prishtina do të testojë sërish ekspeditën e saj pas rikthimit në kryeqendër dhe pasi që do të krahasojë rezultatet e testeve do të ngreh zërin deri në instancat më të larta të futbollit evropian”, përfundon reagimi i klubit.