Drenica ndodhet në një situatë mjaft delikate, sidomos pas largimit të kryetares, Mihane Kodra-Bekteshi. ‘Velat e anijes’ po mundohet t’i drejtojë drejtori sportiv Nehat Hamiti, derisa shumë shpejtë pritet që të zgjidhen edhe organet e reja të udhëheqësisë.
Krahas përpjekjeve për t’i rregulluar strukturat drejtuese të klubit, ‘kuqezinjtë’ janë duke menduar edhe për edicionin e ri, i cili fillon më pak se një muaj.
Klubi nga “Bajram Aliu” tashmë veçse ka bërë përpjekjet e para në këtë drejtim, teksa ka kontaktuar trajnerin Arsim Thaqi, i cili bisedimet i ka konfirmuar për Gazetën “Sheshi”, por ka potencuar se ende nuk ka asgjë konkrete.
“Po, kam biseduar me funksionarët e Drenicës që ndodhen aty, por ende nuk ka asgjë konkrete. Bisedimet kanë mbetur të hapura dhe presim të shohim se çfarë do të ndodh më tej”, deklaroi fillimisht Thaqi duke pohuar gjithashtu se edhe më parë kishte qenë në negociata për ta marrë drejtimin e klubit të Drenicës.
Thaqi i cili ka drejtuar disa skuadra në vend ishte ofertuar gjithashtu edhe nga Arbëria e Dobrajës, por në fund marrëveshja nuk u finalizua, ani pse ishin tejet afër.
“Kam qenë edhe në bisedime tejet të avancuara me Arbërinë, por marrëveshja nuk është arritur në fund dhe kemi shkuar rrugëve tona”, përfundoi Thaqi.
Ditët në vijim priten të jenë përcaktuese sikurse për të ardhmen e Klubit Futbollistik “Drenica”, po ashtu edhe për të ardhmen e trajnerit Thaqi, të cilin mund ta shohim sërish duke drejtuar ndonjërën nga ekipet elitare.