Juventusi publikoi listën e lojtarëve të thirrur për rifillimin e Champions-it, ndërsa Lyon e fillon nga avantazhi i ndeshjes së pare të 1/8 finale. Memphis Depay flet për sfidën e madhe kundër bardhezinjve. Në mikrofonat e UEFA-s, sulmuesi holandez përpiqet të motivojë skuadrën e tij, duke theksuar vlerat e Lyon-it:
“Në ndeshjen e parë ne fituam 1-0. Pashë një frymë të shkëlqyer te shokët e mi të skuadrës dhe kjo më bëri shumë të lumtur. Juventusi nuk luajti mirë, por tani, pas disa muajsh, situata është krejtësisht ndryshe. Bardhezinjtë kanë shumë më tepër ndeshje në këmbë se ne. Shumë aspekte do të jenë krejtësisht të ndryshme nga normalja. Unë jam i gatshëm për të luajtur dhe sfiduar Juven”.
Depay tashmë e ka gjetur rrugën e golit në ndeshjet e fundit, ndërsa Lyon dëshiron të vazhdojë të mahnisë edhe në Europë: “Me këto rregulla të reja nuk ka favoritë. Juventusi ka lojtarë me përvojë të madhe. Ne kemi shumë të rinj, pa përvojë në Champions. Sidoqoftë, kemi një skuadër ambicioze. Nuk kemi frikë nga Juventusi”.