Futbollisti i ri dardan, Lirim Kastrati ka hedhur poshtë zërat se ai mund t’ia kthejë shpinën Kosovës dhe t’i bashkohet Shqipërisë, siç bëri ish-bashkëlojtari i tij te Kosova U21, Ardian Ismajli, duke pasur parasysh se deri më tash ende nuk e ka fituar besimin e trajnerit Challandes në ndeshje zyrtare.
“Jo, jo nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk kam kontakte që një vit e gjysmë me Kombëtaren e Shqipërisë. Kur kam vendosur të luaj për Kosovën kam vendos me zemër dhe kurrë nuk e vë në dyshim atë vendim dhe nuk i bie pishman. Jam i lindur në Kosovë dhe kam gjak Kosove dhe gjithmonë jam krenar me zgjedhjen time”, deklaroi Kastrati në RTK, përcjell Futbolli.info.
Ai ka thënë se është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën kudo që i kërkohet. “Aty ku mundem të ndihmojë gjithmonë do të jem i gatshëm. Pa marrë parasysh me Kombëtaren A apo me U21. E kam zgjedh Kosovën dhe jam krenar që jam pjesë e kësaj kombëtareje. Jam vazhdimisht në kontakt me trajnerët Bernard Challandes dhe Rafet Prekazi. Gjithmonë kur vi të luaj për Kosovën e jap maksimumin dhe mundohem të arrijmë rezultate sa më të mira”, shtoi Kastrati.