Presidenti i FFK-së, Agim Ademi pret Superliga me 10 ekipe dhe formati garues me sistem të katërfishtë me 36 xhiro do ta bëjë elitën e futbollit kosovar edhe më cilësore. Madje, ai shpreson se shumë shpejt Kosova të përfaqësohet me katër ekipe në garat evropiane, pasi sivjet për herë të parë daljen në Evropë do ta shijojnë tri klube.
“Tani jemi në format të njëjtë garues me pjesën tjetër të Ballkanit. Superliga me 10 ekipe mendojmë se do të krijojë cilësi por edhe ekonomi më të mirë për klube dhe ligë. Natyrisht se nuk ka qenë e lehtë të ndërmerret ky hap, sepse për një edicion të largohen katër ekipe nga elita nuk është diçka e lehtë, por kjo ka ardhur në marrëveshje me klubet dhe me UEFA-n. Shtetet përreth e kanë një format të tillë dhe ka rezultuar i suksesshëm”, ka thënë Ademi në një intervistë për RTK, raporton Futbolli.info.
“Tani me 10 ekipe e kemi një mundësi të artë që me formimin e Konferencë Ligës nga UEFA, ta kemi edhe ekipin e katërt që do të dalë në Evropë dhe kjo do të ishte diçka e jashtëzakonshme sepse do të kishim 40 përqind të Superligës që do të përfaqësohej në garat evropiane”, ka shtuar Ademi.