“Kampion do të bëhet jo për këtë vit 2020, por që besa edhe për tri vite tjera rresht, po ua nënshkruaj”.
Trajneri i shquar, Bekim Shotani, nuk kishte dyshime që titulli kampion do të shkojë në Suharekë te Ballkani, megjithatë parashikimi nuk i doli pasi që Drita fitoi trofeun e cmuar një xhiro para fundit të kampionatit.
Shotani tregon se pse Ballkani e lëshoi “bajrakun” në fund.
“Mendoj që Ballkani pas pandemisë tregoi formë jo stabile duke dështuar me skuadra të nivelit më të dobët se Ballkani”, deklaroi Shotani për Olle.
“Skuadra u fut në krizë rezultatesh në ndeshjet vendimtare pikërisht në ciklin e tretë të garave”.
“Lojtarët nuk arritën ta bartin barrën e titullarit, ani pse disa prej tyre janë me përvojë”, shtoi ai.
Tekniku vushtrrias vlerëson që Drita e meritoi titullin kampion.
“Mendoj që Drita e meritoi titullin. Futbollistët e saj me eksperiencë treguan paraqitje stabile, pa u futur në presion. Drita diti ta menaxhojë më mirë ciklin e fundit të garës”, theksoi tekniku vushtrrias.
Por, kush do të shkojë në Evropë nga pozita e dytë sipas Shotanit?
“Pozita e dytë? Mendoj që edhe Ballkani edhe Gjilani e meritojnë. Përparësi i jap Ballkanit, pasi që ishte lider i klasifikimit deri në kohën e pandemisë”.
“Ne duhet të jemi shumë të lumtur që deri në fund të kampionatit kishim një luftë të katër skuadrave të para”, përfundoi Shotani.
Trajneri nga Vushtrria aktualisht është i papunë.