Gjilani dhe Ballkani kanë barazuar 2:2 në kryendeshjen e xhiros së parafundit të IPKO Superligës së Kosovës, rezultat që i konvenoi Dritës, e cila është kampione e re e Kosovës.
Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se skuadra e tij ka qenë bukuria e këtij sezoni në Superligë.
“Ndeshja ishte shumë e mirë, Gjilani ka skuadër kualitative. Është një klub i organizuar shumë mirë. Ne bëmë një shfaqje të bukur sot. Falënderoj kryetarin dhe kryesinë e Gjilanit për mikpritjen, e po ashtu edhe gjyqtarët”, deklaroi Munishi për “Super Sport Kosova”.
“Ne dhe Gjilani kemi luajtur gjatë gjithë kampionatit futboll. Mendoj që ishim bukuria e këtij sezoni, Ballkani luajti futbollin më të bukur në Kosovë dhe do të vazhdojmë me punë e angazhim. Problemet tona do t’i zgjidhim me kualitet”, shtoi ai.
“Ndeshja me Dritën? Kemi lojtarë të dëmtuar, Besnik Krasniqin e Visar Berishën, ndoshta me ta në fushë s’do ta merrnim golin e barazimit, por jam i kënaqur me paraqitjen e gjithë lojtarëve. Do të mundohemi në Suharekë t’ia prishim pak festën Dritës”, u shpreh Munishi.