Me barazimin 2-2 më fushën e Romës u thotë lamtumirë ambicieve për titullin kampion në Serinë A, por katër javë para fundit zikaltrit sigurojnë matematikisht pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm. Për këtë arritje, gjithsesi minimale për një ekip të madh si Interi, trajneri Antonio Conte u shpreh:
“Jemi kualifikuar para kohe me plot 14 pikë më shumë se vendi i pestë. Nëse kampionati ynë është poshtë pritshmërive, çfarë mund të thuhet për ekipet e tjera? Më duket se ka edhe ndonjë paramendim, si me kalendarin. Ne në periudhën vendimtare gjithmonë ndeshemi me ekipe që kanë pushuar më shumë,” – u shpreh Conte pas ndeshjes, duke theksuar se nuk ka çfarë t’u kërkojë më shumë futbollistëve të tij. – “Këta djem duhet të fitojnë eksperiencë dhe mësohen të luajnë disa ndeshje të veçanta. Skuadra duhet të përmirësohet sa i përket cilësisë dhe organikës si në faktorë të tjerë, por unë nuk mund t’u kërkoj asgjë lojtarëve.”
Duke iu kthyer polemikës së kalendarit, Conte vijon:
“U bë për të na vënë në vështirësi, gjithmonë kemi një ditë më pak për të pushuar krahasuar me shumë skuadra, duke luajtur në mbrëmje. Në fund, i paguan këto gjëra. Është hera e pestë që luajmë ndaj një skuadre që ka pushuar një ditë më shumë. Kur duhen bërë kompromise, e paguan gjithmonë Interi. Në fund, shuplakën e merr Interi. Nuk mund të mos e shihni atë që ka ndodhur.”