Lionel Messi e mbyll La Ligan si golashënuesi më i mirë me 25 finalizime, katër më shumë se rivali i tij më i afërt, Karim Benzema, që nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës për 61 minuta që qëndroi në fushë në barazimin 2-2 të Realit në fushën e Leganes.
Kjo është hera e katërt radhazi dhe e shtata në karrierë, që “ylli” argjentinas fiton këtë çmim individual, duke thyer edhe rekordin e legjendës së Athletic Bilbaos, Telmo Zarra, i cili është shpallur gjashtë herë golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll rreth 70 vite më parë.
6 herë fituesi i Topit të Artë ka shënuar deri tani 30 gola në të gjitha kompeticionet me Barçën, shifër që mund të përmirësohet në sfidën e kthimit me Napolin në Champions e më tej, sigurisht nëse “blaugranat” do të kualifikohen.
25 golat në La Liga Messi i ka shënuar në 16 nga 33 ndeshje ku është aktivizuar.