Sulmuesi i Gjilanit, Gerhard Progni, ka thënë se kampionati i futbollit në Kosovë ka dalë shumë më cilësor e më interesant se sa ai e ka pritur kur iu bashkua këtij klubi.
“Të them të drejtën nuk e prisja kaq mirë, por realisht po kënaqem edhe me ekipin edhe me presidentin e klubit, por edhe me kampionatin. Sinqerisht e kam menduar më të lehtë futbollin këtu, por që në ndeshjen e parë kur kemi humbur me Trepçën’89 e pashë që luhet edhe këtu futboll jo vetëm në Shqipëri”, ka theksuar Progni në Klan Kosova, transmeton Futbolli.info.
Ai tutje ka thënë se në Kosovë ka shumë talente dhe në një të ardhme të afërt mund t’ia kalojë edhe kampionatit shqiptar.
“Talente këtu ka më shumë, por në Shqipëri ka më shumë profesionalizëm. Këtu disi luhet më lirshëm. Fitorja në derbi? Më shumë jam i kënaqur për tifozët sepse e kanë pritur. E rëndësishme është që fituam sepse objektivi është Evropa”, ka nënvizuar Progni.