Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Keita Razak, ka shënuar dy herë në portën e Drenicës për t’ia siguruar tri pikë skuadrës së Gjilanit në kuadër të javës së 30-të të Ipko Superligës. Ndeshja e zhvilluar në Gjilan u mbyll, me rezultat 2:0, teksa vendasit fituan edhe një penallti në fillim të ndeshjes, por goli u anulua për shkak të mos ekzekutimit të 11-metërshit sipas rregullave.
Gjilanasit u treguan skuadër më e mirë gjatë tërë ndeshjes dhe në fund me meritë iu gëzuan tri pikëve të reja që e mbajnë në garë për titull të kampionit. Razak shënoi në minutat 22’ dhe 34’. Pas kësaj fitoreje Gjilani i afrohet në vetëm tre pikë Dritës kryesuese, me të cilën do të ballafaqohet në javën e ardhshme.