Oliver Bierhoff i sugjeron Real Madridit që të blejë Havertz. Drejtori sportiv i kombëtares gjermane është i bindur se talenti në fjalë mund të luajë dhe të ketë sukses te mbretërorët spanjollë. Në një intervistë të gjatë për “Marca”, ish-sulmuesi i njohur ka nënvizuar: “Havertz është një lojtar i denjë dhe i gatshëm për Real Madridin. Ai është një lojtar shumë i ri, por ka gjithçka. Ka shumë talent, teknikë, fizik të mirë. Havertz është një lojtar shumë i plotë, që për kombëtaren tonë do të jetë shumë i rëndësishëm. Ka shpërthyer si futbollist, por ka ende mjaft hapësira për t’u rritur e përmirësuar”.
Ai që tashmë është larguar nga Gjermania ka qenë Timo Werner, te Chelsea. A është Bierhoff i shqetësuar për këtë lloj transferimi në vitin e Kampionatit Europian? Ja përgjigjja e tij: “Aspak. Shikoni, unë kam luajtur pothuajse tërë karrierën time jashtë Gjermanisë dhe mendoj se kjo tregon sukses. Ju rriteni shumë si person, bëheni më i fortë, më i pjekur, evoluoni më shumë si futbollist, kur luani jashtë vendit, në liga të forta. Kur largoheni nga zona juaj e rehatisë, zakonisht bëni një hap përpara. Unë doja shumë të luaja jashtë, më vjen shumë keq që nuk mund ta bëja në Spanjë. Pse nuk luajta në Spanjë? Nuk kisha oferta për ta bërë këtë”.
Në Spanjë, ai që luan dhe ka bërë shumë mirë, është Toni Kroos. A e imagjinonte drejtori sportiv i kombëtares gjermane, se mesfushori në fjalë do të performonte në nivele të larta dhe për kaq shumë vite te Real Madridi? “Tani që e njoh mirë Toni, ju them se nuk më befason, sepse është një lojtar unik. Shoh një ekosistem mbresëlënës rreth tij, edhe vetë është mjaft inteligjent. Kur e njihni atë, nuk çuditeni pse ka luajtur kaq gjatë, në nivelin më të lartë, në një klub si Real Madridi. Pa e njohur atë, natyrisht, si të gjithë, mund të keni dyshime nëse një gjerman do të përshtatej mirë në Spanjë, et Real Madridi. Por, nëse e njihni Kroos, e dini se ai përshtatet kudo”, – përgjigjet Bierhoff.