Sot në kuadër të javës së 29-të në Superligën e Kosovës zhvillohet njëra nga ndeshjet më interesante në këtë edicion.
Gjilani e pret skuadrën e Prishtinës, ndeshje kjo që mund të përcaktojë shumëçka.
Deri në fund janë edhe pesë ndeshje për t’u zhvilluar, por gjithsesi, ndeshja e sotme është përcaktuese dhe se humbësi i kësaj sfide pothuaj mbetet pa gjasa në luftë për titull të kampionit.
Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu në një bisedë për “Zeri.info” ka analizuar këtë ndeshje derisa ka folur edhe përparësitë e këtyre dy skuadrave ndaj njëra tjetrës.
“Është një ndeshje që mund të jetë përcaktuese për njërën apo tjetrën skuadër”, ka thënë fillimisht Sejdiu, duke shtuar se këto dy skuadër dallojnë bukur shumë nga njëra tjetra për mënyrën e lojës që bëjnë, kështu që edhe është bukur vështirë të parashikohet fituesi”.
“Takohen dy ekipe që dallojnë njëra prej tjetrës sa i përket karakteristikave të ekipeve. Të dyja skuadrat për momentin gëzojnë formë të mirë dhe për atë do të jete derbi i vërtetë”.
“Përparësia e Prishtinës është sepse ka ekip me agresiv dhe të shpejtë dhe është me universale, ndërsa Gjilani është ekip me shumë përvojë dhe kualitet dhe që i menaxhojnë takimet me shumë qetësi e që në këto takime munde të jetë përcaktuese”, ka përfunduar Gani Sejdiu.
Të kujtojmë se ndeshja Gjilani – Prishtina zhvillohet sot nga ora 17:00 në stadiumin e qytetit të Gjilanit.