Superliga e Kosovës ka hyrë në fazën vendimtare të edicionit aktual, ku tani çdo ndeshje ka rëndësi më të madhe për çdo skuadër.
Deri në përfundim të edicionit 2019/20 kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar, derisa ndeshje interesante na presin në vazhdim të kampionatit.
Për titullin kampion po luftojnë Drita, FC Prishtina, Ballkani dhe Gjilani, derisa katër skuadrat do të përballen mes vete në xhirot e ardhshme.
Një ndeshje që mund të përcaktojë shumëçka është ajo mes FC Prishtinës dhe Dritës, e cila luhet në javën e 30-të.
Dihet se FC Prishtina ndeshjet si vendase i zhvillon në mbrëmje me reflektorë, por që kjo ka ndryshuar tashmë shkaku i “orës policore” të vënë nga Qeveria e Kosovës si masë parandaluese për COVID-19.
Megjithatë, nga FC Prishtina kishin kërkuar që ndeshja kundër Dritës të luhet me fillim në orën 19:00.
“Zeri.info” raportoi dje se klubi më i madh në vend bëri një kërkesë në Policinë e Kosovës që ndeshja e së dielës ndaj Dritës të luhet nga ora 19:00.
Megjithatë, burime të klubit bëjnë me dije se kërkesa në fjalë nuk është pranuar dhe se ndeshja do të zhvillohet vetëm nga ora 18:00.
Ndryshe, pas 28 javësh në elitën e futbollit kosovar, Drita renditet në vendin e parë me 61 pikë, katër më shumë se FC Prishtina, e cila renditet në vendin e dytë me 57 pikë.