Drita ka vazhduar të mbajë distancë prej katër pikëve edhe pas xhiros së 28-të në Ipko Superligën e Kosovës, pas fitores 4:0 në udhëtim te Llapi.
Kurse, kjo xhiro e Superligës ishte paksa e veçantë pasi vetëm Prishtina arriti fitore si vendas, madje atë në minutën e 94-të me një gol të Januzit, shkruan Gazeta Olle.
Këtë xhiro, por edhe rrjedhën e kampionatit e ka komentuar trajneri i Kosovës U-21, Rafer Prekazi.
“Çdo vit ka rivalitet të madh, ndërsa rivaliteti këtë vit është shumë më i madh”, tha fillimisht Prekazi në RTK.
“Ka ardhur koha që pa përfunduar kampionati të lavdërojë pak futbollin e Kosovës, pasi nga rivaliteti po ia kalon edhe shteteve të Ballkanit përfshirë edhe Kroacisë, pra e kam fjalën vetëm nga rivaliteti dhe jo nga cilësia”.
“Janë katër klube që disa javë po luftojnë dhe realisht secila ka gjasat të bëhet kampion”.
“Kosova është tokë e talentëve, dhe ky edicion më gëzon sepse ka mbi katër futbollistë të moshës 19-vjeçare që po luajnë në klubet e tyre”, përfundoj Prekazi.