Trajneri i Flamurtarit, Sunaj Keçi tha se skuadra e tij sot humbi dy pikë të mëdha, të cilat shumë lehtë mund t’i kushtojnë në fund me rënie nga elita. Kuqezinjtë e kryeqytetit barazuan 2:2 si mysafir të Vushtrrisë, në një ndeshje të cilën duhej fituar për të bërë gjumë të lehtë.
“I patëm rastet tona dhe nuk ditëm t’i shënojmë, ishim dy herë në epërsi por duke na munguar koncentrimi pësuam në dy raste, sepse futbollistët nuk po dijnë ta menaxhojnë ndeshjen”, tha fillimisht Keçi për SSK.
“Këto dy pikë mund të na kushtojnë në fund për luftën për mbijetesë”.
“Ndeshjen e radhës do të luajmë ndaj Dukagjinit ku pritet të jetë e vështirë pasi golat po i pranojmë lehtë duke gabuar në shumë raste dhe kjo nuk është hera e parë që futbollistët bëjnë këso gabime”, përfundoi ai.
Me këtë barazim, Flamurtari mbetet në pozitën e 7-të tashmë me 37 pikë, gjashtë më shumë se pozita që dërgon drejt rëniesë nga kategoria.