Shtatë fitore radhazi dhe 12 pikë distancë nga ndjekësit. Kjo është Atalanta, skuadra me sulmin më të mirë në Serinë A me 82 gola të shënuar dhe që për të dytin vit radhazi arrin të sigurojë kualifkimin për në grupet e Champions League. Një nga ekipet më konkrete në Itali që në sezonin aktual mundi të siguronte dhe pjesëmarrjen për në fazën çerekfinale të Ligës së Kampioneve.
Një skuadër që funksionon në mënyrë perfekte, sulmi dhe mbrojtja funksionojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kundër Napolit u pa një tjetër 90-minutësh tepër pozitiv i bergamaskëve, të cilët e menaxhuan sfidën po kaq mirë duke e ditur sesa e veshtirë do të ishte përballja ndaj klubit jugor. Provë pjekurie e zikaltërve të cilët e kaluan me shumë sukses.
Kanë një stil ndryshe të të luajturit futboll, jo loja tipike e futbollit italian duke i dhënë kështu edhe një sinjal të tjerëve se diçka duhet ndryshuar, katenaço e famshme nuk është më në modë.
Tashmë që vendi i 4-t është i blinduar, ekipi i Gapserinit ka nisur të mendojë për të ardhmen. Ne gusht do të behen gati për Champions League dhe sigurisht me atë çfarë kanë ofruar deri më tani do të jenë një kundërshtar i fortë për këdo.