Kanë përfunduar tri ndeshjet e sotme në kuadër të javës së 26-të në Ipko Superligë. Prishtina dhe Ballkani kanë bërë hapa fals në garën për titull. Bardhekaltrit e kryeqytetit janë ndalur në “Zahir Pajaziti” në Podujevë, pasi kanë barazuar 1:1 me Llapin. Rezultatin e zhbllokoi Ahmet Januzi në minutën e 25-të me golin e shënuar nga brendësia e zonës, duke kaluar Prishtinën në epërsi. Megjithatë, llapjanët barazuan shifrat në minutën e 52-të me një supergol të Mentor Zhdrellës nga gjuajtja e lirë. Ndërkohë, me të njëjtin rezultat si mysafir ka barazuar edhe Ballkani në duel me Ferizajn, duke e vështirësuar dukshëm situatën sa i përket garës për titull. Skuadra e Ismet Munishit kaloi në epërsi në minutën e 18-të, me golin e Arbër Prekazit, por ferizajasit iu shmangën humbjes falë golit të shënuar nga Albin Krasniqi në minutën e 79-të. Pa fitues, por pa gola është mbyllur edhe dueli në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ndërmjet Feronikelit dhe Drenicës.