UEFA pritet të marrë vendim për ndryshim të orarit të ndeshjeve në Ligën e Kombeve.
Insporti ka kontaktuar me menaxherin e kombëtares, Bajram Shala, rreth datave të ndeshjeve të Kosovës në muajin tetor.
Shala ka pohuar se orari i ndeshjeve, përveç atyre të muajit shtator, nuk është definitiv.
Kosova me kalendarin aktual, do të ketë punë më 8 tetor me Maqedoninë në kuadër të “play-off”-it të EURO 2020. Më pas janë dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, me Slloveninë më 10 e Greqinë më 13 tetor. Kësisoj, “Dardanët” do të zhvillonin tri ndeshje për vetëm pesë ditë.
Por, kjo nuk do të ndodhë sipas menaxherit të kombëtares. Ai i tha se UEFA do të ndryshojë orarin e ndeshjeve në ditët në vijim, dhe se do të ketë lëvizje të datave.
“Në fakt orari që aktualisht është në ueb-faqen e UEFA-s është orari i vjetër në aspektin e datave, ngase përveç për dy ndeshjet e shtatorit, për ndeshjet tjera në tetor e nëntor, datat e ndeshjeve në Nations League do të ndryshojnë”, tha Shala.
“Në tetor, meqë kundër Maqedonisë do të luajmë më 8, sipas të gjitha gjasave kundër Sllovenisë do të luajmë më 11 dhe kundër Greqisë më 14.”
“Por kjo pritet të zyrtarizohet nga UEFA në ditët në vijim, sepse nuk do të ishte logjike që të luajmë bazuar në kalendarin e vjetër, ngase në nëntor nëse plasohemi në finale, është paraparë që ajo të luhet me 12 nëntor, kurse në bazë të kalendarit të vjetër të Nations League, ne do të duhej të luanim me 13 kundër Sllovenisë në udhëtim”, deklaroi Shala.