Prishtina ka vazhduar me fitore në Ipko Superligë, por ka shpenzuar jo pak energji në duel me skuadrën e fundit në renditje, Dukagjinin. Pas ndeshjes trajneri i Prishtinës, Armend Dallku e vlerësoi angazhimin e futbollistëve të tij.
“Mund të them se ishte një fitore e vështirë, por nëse do të kishim shënuar disa raste që kishim në pjesën e parë, ndoshta nuk do ishte ky fund. Pësuam një gol naiv sepse ishte i lehtë, por mund t’i ndodhë çdokujt”, ka thënë Dallku.
Ai e ka pranuar se skuadra nga Klina i shkaktoi jo pak telashe skuadrës së tij. “Dukagjini ka ardhur shumë i motivuar në Prishtinë dhe këtë e kemi ditur, por nuk ka problem sepse ne e bëjmë lojën tonë. Shpresoj që Dukagjini të luajë kështu edhe ndaj ekipeve tjera”, ka nënvizuar Dallku.
Ndërkaq sa i përket lëndimit të Miftarajt trajneri i bardhekaltërve u shpreh: “Çdo humbje e lojtarëve në këtë fazë është problematike por do të shohim shkallën e lëndimit të tij dhe shpresoj mos të jetë diçka serioze”. Javë e ardhshme Prishtina do të luajë kundër Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti”.