Edoardo Reja ka dhënë një prononcim të gjatë për mediet italiane. Trajneri i kombëtares shqiptare, ndihet entuziast për punën te kuqezinjtë dhe projekti shqiptar e intrigon shumë. Italiani, i cili është një tifoz i Udineses, tregon për TMW lojtarin që do i bënte punë friulanëve.
“E kam pasur gjithmonë ambicien për të drejtuar një kombëtare. Nuk u mendova dy herë kur erdhi propozimi për të qenë trajner i Shqipërisë. Po bëjmë një punë shumë të rëndësishme, së bashku me Federatën, sidomos në aspektin e rritjes së lojtarëve të rinj.
Në Shqipëri është investuar shumë në infrastrukturë në vitet e fundit. Kemi fatin të luajmë në një stadium të jashtëzakonshëm dhe të stërvitemi në një qendër stërvitore moderne. Ka shumë lojtarë interesantë, lënda e parë është vërtetë e mirë.
Bëhet fjalë për djem që luajnë në kampionatet më të rëndësishme evropiane: në Gjermani dhe Itali. Kam një entuziazëm të madh, projekti është i rëndësishëm. Po i presim me entuziazëm eliminatoret e Botërorit 2022. Kualifikimi do të ishte një ëndërr.