Janë mbyllur takimet e sotme të Bundesligës gjermane, të vlefshme për javën e 28-të. Pasi Bayern fitoi në transfertë kundër Borussia Dortmund, startuan tre sfidat e orës 20:30, ku rezultatet surprizë nuk munguan.
Bayer Leverkusen, që konsiderohej favorite absolute për të triumfuar në shtëpi, është mposhtur me rezultatin 1-4 nga Wolfsburg. Humbje e turpshme për “Aspirinat”, që dhe golin e nderit, e shënuan vetëm në minutat e fundit, me anë të Baumgartlinger. Mbrojtësi Pongranic shënoi dy gola për Wolfsburg, ndërsa Arnold dhe Steffen vulosën gjithçka.
Eintracht Frankfurt arriti të eliminojë humbjen në shtëpi në vetëm pak minuta. Miqtë e Freiburg dukeshin se do e fitonin këtë sfidë, pasi po udhëhiqnin me rezultatin 1-3 deri në minutën e 79-të, por në vetëm 3 minuta, Frankfurt barazoi me anë të Kamada dhe Chandler.
Në takimin mes Werder Bremenit të Rashicës dhe Borussia M’Gladbach, nuk pati gola, me të dyja skuadrat që ndanë nga një pikë pas barazimit të bardhë 0-0.