Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ishte mysafir në emisionin “Natën me Fatmir Spahiun” në RTK1, ku foli për sukseset e futbollit të Kosovës dhe federatës që drejton. Ai ndër të tjera theksoi se synimi kryesor i tij është që ta dërgojë Kosovën në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. “Thjesht pikësynimi im është shkuarja në Evropian. Aty e shoh një lehtësim shpirtëror, një përmbushje – mos ta quaj amanet por të një dëshire të ish-presidentit Vokrri dhe gjithë popullatës për të qenë për herë të parë në Evropian. Besoj shumë që këta futbollistë me mentalitetin që kanë dhe me ndihmën e Dardanëve do të arrijnë të na kualifikojnë në Euro”, ka theksuar presidenti Ademi, transmeton Futbolli.info.
Ai gjatë këtij emisioni ka folur edhe për infrastrukturën e objekteve të futbollit, duke shpresuar që Kosova do ta ketë edhe Stadiumin Kombëtar, derisa ka bërë të ditur se që nga java e ardhshme pritet të nisin punimet në rinovimin e stadiumit “Adem Jashari”.