Federata e Futbollit të Kosovës është ende në pritje të përgjigjjes për lejen nga autoritetet për të nisur futbollin, teksa ende nuk ka ndonjë datë zyrtare.
Trajneri i mirënjohur kosovar, Afrim Tovërlani, i cili e drejton Feronikelin, në një intervistë në Radio Prishtina, ka thënë se kjo pandemi nuk është aspak e lehtë për sportistët.
“Do të jetë shumë e vështirë, në fakt ne të gjitha klubet iu kemi dhënë futbollistëve punë individuale, por kjo është e vështirë. Të ishte kaq e lehtë, këtë do ta bënin të gjithë. Futbollistët kanë humbur mjaft, sidomos fizikisht. Ata janë në pritje të vendimeve për vazhdimin e futbollit”, u shpreh Tovërlani.

“Në qoftë se nuk vazhdon edicioni aktual, do të ishte një pauzë e gjatë dhe një humbje e madhe, pasi kur do të riktheheshim në stërvitje, do të ishte e vështirë të riktheheshim në formën e duhur. Jemi të varur nga vendimet e Ministrisë dhe IKSHP-së, dhe disa klube që po insistojnë të mos vazhdojë kampioni, gjë për të cilën unë mendoj se do të ishte e padrejtë”, tregon më tej ‘Toki’.
Tutje, ish-trajneri i FC Prishtinës dhe Ferizajt ka thënë se edhe pse nuk i ka bërë analizat, e ka pasur koronavirusin, por që e ka kaluar tashmë.
“Jo, nuk ka momentalisht. Realisht po ju them, ditëve të fundit duke lexuar, ky e ka emrin grip, jo kancer, ebola apo SIDA. Personalisht, mendoj se i gjithë globi kanë rënë nga provimi sepse njerëzit në moshë e kanë pësuar. Si grip, nuk e di çfarë janë simptomat, ndoshta ky e ka kohëzgjatjen më të madhe. Personalisht, mendoj se e kam kaluar këtë grup në muajin janar edhe pse s’i kam bërë analizat sepse e di se gripat sezonal i kaloj me tri-katër ditë, por kësaj radhe zgjati më shumë”, përfundoi Tovërlani.