Trepça’89 ka reaguar sot pas publikimit të shkresës së UEFA-s nga ana e FFK-së, e cila i ka hedhur poshtë akuzat e disa klubeve që pretendonin se se federata nuk ua ka ndarë mjetet e dedikuara për to. Megjithatë, as kjo shkresë e UEFA-s nuk i ka ndalur drejtuesit e klubit mitrovicas, që tani kërkojnë auditim të jashtëm për të parë se si u shfrytëzuan nga federata mjetet e përfituara nga shtëpia e futbollit evropian, gjë për të cilën FFK i përgjigjet për çdo vit auditorëve të FIFA-s, shkruan Futbolli.info. Mirëpo, reagimet e njëpasnjëshme të drejtuesve të klubit mitrovicas ndaj federatës duket se janë bërë të padurueshme edhe për vetë tifozët e klubit, të cilët duke e parë gjendjen në të cilën ndodhet klubi me komentet e tyre kanë shfaqur pakënaqësi me veprimet e drejtuesve të “minatorëve”. Në fakt, Trepça’89 ka kohë që është reagon ndaj çdo veprimi të FFK-së, madje duke pretenduar se nuk e njohin presidentin e kësaj federate dhe as Komitetin Ekzekutiv, mirëpo në të njëjtën kohë kërkojnë investime në stadium pikërisht nga ky organ i FFK-së. “Minatorët” rrezikojnë seriozisht rënien në një kategori më poshtë, ngase aktualisht janë në zonën që nuk mbijetojnë në elitë dhe në rast të ndërprerjes së kampionatit, atëherë ish-kampioni i Kosovës do t’i thotë lamtumirë shoqërisë elitare.
