No menu items!
Ballina LIGAT E TJERA LA LIGA LAJME TË MIRA TE BARÇA; GJENDJA FIZIKE E LOJTARËVE SHUMË MË E...

LAJME TË MIRA TE BARÇA; GJENDJA FIZIKE E LOJTARËVE SHUMË MË E MIRË SESA PRITEJ

Gjendja fizike e futbollistëve të Barcelonës është që tani në 40–45% të kapacitetit ideal dhe duke patur parasysh pritshmëritë e trajnerëve, që i prisnin lojtarët në momentin e grumbullimit pranë një rendimenti afërsisht 30 apo 35%, natyrisht situata në horizont duket shpresëdhënëse. Shumë gëzim dhe kënaqësi në ambientin “blaugrana”, në stafin e përgatitësve fizikë, pasi verifikuan gjendjen e futbollistëve dhe panë rezultatet e testeve të lojtarëve.

Të gjithë iu nënshtruan kontrolleve të zakonshme rutinë, një procedurë e kuptueshme pas një ndalese të veçantë, në një kohë krejtësisht të pazakontë, siç ishte kjo periudhë e vështirë që zgjati për plot dy muaj, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në fakt stërvitësit atletikë i kishin përgatitur trajnerët e stafit teknik për një skenar zhgënjyes, gjë lehtësisht e kuptueshme pas tetë javëve me një aktivitet fizik tepër të limituar që linte hapësirë për shumë pasiguri.

Në skenarin më të mirë, sipas përllogaritjeve u vlerësua që një futbollist mund të humbiste ndërmjet 65 dhe 70% të formës optimale për të luajtur. Me sa kuptohet futbollistët i kanë bërë siç duhet detyrat e shtëpisë që iu ishin ngarkuar, për aq kohë sa zgjati periudha e izolimit dhe në këtë mënyrë falë udhëzimeve të marra nga stafi i posaçëm dhe përkushtimit të vet, ata evituan kështu një përkeqësim të mundshëm të situatës. E përditshmja spanjolle “As” mesa duket gjeti mundësinë për të gërmuar në të dhëna të tilla të veçanta, duke zbuluar dhe publikuar detaje të hollësishme nga ditët e para të fazës stërvitore në qendrën sportive të klubit “blaugrana”, menjëherë pas rikthimit nga periudha e vështirë e karantinimit.

Si tregues i parë mjafton të përmendet fakti që peshat e lojtarëve u shtuan mesatarisht nga 500 gramë deri në 1.3 kilogramë, në një kohë kur limiti i përcaktuar është 2 kilogramë. Përsa u përket yndyrnave në trup, indeksi dhjamor u rrit nga 0.3 në 0,7%, kur steka e pritshme ishte 1%. Këto kontrolle u kryen përgjatë mesjavës, ku u regjistruan pra pikërisht vlera të tilla, duke përfituar në këtë mënyrë nga testet e Ligës Spanjolle. Ditën e premte madje lojtarët e Barcelonës patën mundësinë për t’iu rikthyer aktivitetit, duke zbritur në fushën e lojës, në një seancë individuale, që më pas u zgjerua në kohë, për të shkuar deri në diçka më tepër se një orë.

Të pajisur me jelekët e sistemit të monitorimit GPS futbollistët iu nënshtruan provave të shpejtësisë, ndryshimit të ritmit, ushtrimeve ekscentrike dhe izometrike, të shoqëruara në mënyrë të vazhdueshme me vrapime të shpeshta. Rezultatet e para janë shumë shpresëdhënëse dhe janë më se të pranueshme, duke marrë në konsideratë rrethanat dhe situatën e vështirë me të cilën janë përballur lojtarët, ku padyshim përfshihet një aktivitet i reduktuar aerobik në masën 40%, humbja e kapacitetit për sforcimet e përsëritura deri në nivelin 50%, humbje të aftësisë së tendinave deri në 30 % si dhe në fund humbje të forcës dhe elasticitetit muskulor në masën 45%.

E pra të gjithë këto parametra të marrë së bashku konfirmojnë se për momentin gjendja aktuale e skuadrës së Barcelonës është mes 40 apo 45% të kapacitetit ideal. Tani mbetet për të rikuperuar edhe pjesën tjetër prej 55%, objektiv që duhet përmbushur brenda muajit të ardhshëm, për të patur garancitë e duhura në momentin që do të rifillojnë ndeshjet.

Me pritshmëritë që ishin projektuar në nivele të tilla, në rastin më të mirë nga 30 deri në 35%, gjendja aktuale jep shpresë për një mbyllje shumë pozitive të sezonit. Tani stafi drejtues i trajnerëve dhe përgatitësit fizikë dhe atletikë të ekipit synojnë që nëpërmjet stërvitjeve individuale grupi i futbollistëve të arrijë një nivel deri 50% të formës optimale, përpara se të hapet drita jeshile për seancat stërvitore në grupe të vogla të lojtarëve.

Lini një përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Të fundit

Cassano: Interi është qesharak në Ligën e Kampionëve. Futboll në Itali nuk luajnë ata, por Atalanta

Ish sulmuesi i Milanit dhe Interit Antonio Cassano foli me mikrofonat BoboTV duke skanuar situatën e Interit. “Ka gjetur një qëndrueshmëri të madhe. Skuadra...

Reali barazon në frymën e fundit ndaj Sociedad, titulli largohet akoma më shumë 

Reali i Madridit nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 mbrëmjen e sotme ndaj Sociedadit në shtëpi. Një barazim që...

Java e 23-të në Superligë luhet në fundjavë, vëmendja në “Fadil Vokrri” dhe “Rexhep Rexhepi”

Java e 23-të në Superligën e Kosovës do të vazhdojë në fundjavë. Fillimisht, ndeshja e parë do të luhet...

Tifozët e Ballkanit nisin ta kërkojnë rikthimin e Ismet Munishit

Dy ndeshjet e fundit pa fitore e po ashtu edhe eliminimi nga Kupa e Kosovës ishin të mjaftueshme që aventura e Bledi...

Recent Comments