Monday, January 17, 2022
HomeSUPERLIGA7 MIJË ULËSE NË STADIUMIN "REXHEP REXHEPI"

7 MIJË ULËSE NË STADIUMIN “REXHEP REXHEPI”

Katër vite pas pranimit të Kosovës në familjen evropiane të futbollit, UEFA, Federata e Futbollit të Kosovës në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe me komunat kosovare po mundohen ta përmirësojnë infrastrukturën sportive në vend.

Dihet se infrastruktura sportive në Kosovë ka qenë e harruar, derisa momentalisht, kemi vetëm një stadium që plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare – stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, teksa ai në Mitrovicë, “Adem Jashari” është shkatërruar si pasojë e pakujdesisë.

Siç kanë premtuar nga MKRS-ja dhe FFK-ja, stadiumi “Adem Jashari” do të ri-konstruktohet dhe do të modernizohet për të qenë në dispozicion të futbollit të Kosovës, derisa edhe në “Fadil Vokrri” pritet të ketë punime, me rritjen e kapacitetit të ulësve.

Përpos kësaj, Kosova do të bëhet edhe me një stadium modern shumë shpejt. Bëhet fjalë për stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, i cili shfrytëzohet nga kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli.

Klubi nga Drenasi publikoi dje fotografi të pamjeve të fundit nga “Rexhep Rexhepi”, aty ku shihet se janë ndërtuar edhe dy tribuna, dhe se ky stadium do ta ketë një kapacitet prej shtatë mijë ulësesh dhe se do të jetë i kategorisë së tretë.

Erlind Krasniqi, zëdhënës në klubin e Feronikelit, ka bërë me dije në një bisedë me Zëri.info se ky projekt është i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komunën e Drenasit.

Duke folur për punimet që po zhvillohen në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, Erlind Krasniqi nga klubi i Feronikelit ka konfirmuar se gjatë ditës së djeshme janë rikthyer punimet pas lehtësimit të masave nga Ministria e Shëndetësisë shkaku i pandemisë COVID-19.

“Punimet në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ janë rikthyer dje dhe do të vazhdojnë edhe më tej. Tashmë janë ndërtuar edhe dy tribuna, dhe stadiumi do ta ketë një kapacitet prej shtatë mijë ulësesh. Stadiumi është i kategorisë së tretë”, u shpreh Krasniqi.

“Punimet i ka financuar Komuna e Drenasit në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nuk e dimë shumën sa kanë kushtuar këto punime”, tregoi Krasniqi.

Kështu, “Rexhep Rexhepi” do të bëhet stadiumi i dytë që do të mundësojë zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, ku saktësisht në një stadium të kategorisë së tretë, skuadrat mund t’ zhvillojnë edhe ndeshjet e fazës së grupeve në garat ndërkombëtare.

 

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments