Që nga 13 marsi është pezulluar Superliga e Kosovës në futboll shkak i koronavirusit dhe nuk ka datë të saktë të rinisjes.
Ajo se çfarë dihet është se nëse rifillon deri me 20 korrik duhet të përfundoj.
Kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha në një prononcim për inFokus ka folur për udhëzimet e fundit të UEFA-s, për mundësinë e shpalljes kampion të Ballkanit si dhe për vazhdimin e kampionatit.
Berisha ka thënë se do ti ndjekin udhëzimet dhe sugjerimet e UEFA-s dhe FFK-së.
“Do ti ndjekim të gjitha udhëzimet e sugjerimet që i jep UEFA dhe po ashtu FFK-ja. Është situatë shumë e vështirë momental në vendin tonë dhe që ka prekur të gjitha sportet. Jo vetëm ne që jemi mërzitur nga kjo situatë, por të gjithë sportdashësit, por kjo varet tash edhe nga Covid-19”, tha fillimisht Berisha.
Mbrojtësi i skuadrës lidere në Superligë, thotë se Ballkani e meriton titullin kampion, pasi gjatë gjithë kohës ka qenë në vendin e parë dhe ka luajtur futboll të bukur.
“FC Ballkani nëse shpallet kampion nuk është asgjë tragjike, sepse gjithë kohën ka qenë në vendin e parë dhe ka luajtur futboll mjaft të bukur”, deklaroi kapiteni i Ballkanit.
Për fund Berisha tregoi se nëse kampionati vazhdon futbollistët e Ballkanit janë të gatshëm dhe po punojnë vazhdimisht.
“Edhe nëse vazhdon kampionati në vendin tonë futbollistët e FC Ballkanit janë të gatshëm dhe janë duke punuar vazhdimisht dhe se të gjithë po e kryejnë programin të cilin na ka dhënë trajneri, Ismet Munishi. Futbollistët që i kemi brenda në klub janë shumë të përgjegjshëm dhe shumë profesionistë”, përfundoj Visar Berisha.
Për para se koronavirusi ta pezullonte Superligën, skuadra e Ballkanit pas 22 ndeshjeve të zhvilluara renditet e para me 44 pikë.