Llapi e ka bërë një hap para drejt finales së Kupës së Kosovës në futboll.
Llapjanët kanë triumfuar si mysafirë të Prishtinës në “Fadil Vokrri” me rezultatin 3:2, në ndeshjen e parë gjysmëfinale, e cila u zhvillua të mërkurën pasdite.
Në fakt, Llapi e kishte epërsinë e tre golave, por në fund e rrezikoi triumfin duke fituar ngusht 3:2.
Lojtari i ndeshjes te Llapi ishte Ahmed Januzi, i cili shënoi dy gola në minutat 6’ dhe 59’ dhe asistoi te goli i tretë të cilin e realizoi Kushtrim Shabani në minutën e 61-të.
Prishtina ia doli që të kthehet në lojë duke shënuar dy gola, të cilët e mbajnë në lojrë për të arritur në finale. Së pari Albin Prapashtica në minutën e 65-të ngushtoi epërsinë në 3:1, kurse në kohën shtesë, zëvendësuesi Mërgim Përfqeli realizoi golin e dytë dhe të fundit në këtë ndeshje.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 21 prill në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku edhe do të përcaktohet skuadra që do të kalojë në finalen e madhe të Kupës.