No menu items!
Ballina FUTBOLLI VENDOR Kapiteni besnik i Trepçës ‘89, “Muli” synon daljen në Evropë

Kapiteni besnik i Trepçës ‘89, “Muli” synon daljen në Evropë

Trepça ‘89 është ndër skuadrat me rezultatet më të mira në stinorin pranveror në Superligën e Kosovës në futboll. Fitorja 2:1 të premten kundër Besës në Pejë ka bërë që mitrovicasit të largohen edhe më shumë nga pjesa e poshtme e tabelës, për t’i ikur zonës së rënies nga elita. “Minatorët” i morën tri pikë të arta ndaj pejanëve, falë golit të dytë që e realizoi Muharrem Jashari, që në fund doli të jetë vendimtar. Ndërkohë, golin e parë e shënoi Robert Rrahmani.

Kapiteni i ekipit mitrovicas, Muharrem Jashari, ka thënë për KOHËN se pas triumfit ndaj Besës janë më të qetë për vazhdimin e kampionatit. Mesfushori ofensiv, që përdoret si “joker” nga trajneri Shpëtim Idrizi edhe në pozitat e tjera defensive, thekson se rezultatet pozitive të Trepçës ‘89 nuk janë befasi. Sipas tij, tek ekipi mitrovicas kanë punuar shumë për këto rezultate.

“Jemi duke kaluar formë të mirë si ekip, e po ashtu edhe unë jam në formë të mirë, por sigurisht e rëndësishme është që ekipi të ketë rezultate pozitive. E kemi pritur që do të kemi rezultate pozitive në stinorin pranveror, pasi për këtë kemi punuar shumë. Kemi skuadër të re, por shumë cilësore. Mendoj që jemi pak më të qetë, por ende ka shumë ndeshje për t’u luajtur deri në fund. Jemi të motivuar pas fitores ndaj Besës, pasi vinim nga një humbje. Kjo fitore e ka rritur edhe më shumë moralin në ekip. Jam shumë i kënaqur me golin që shënova, por më shumë me tri pikët e skuadrës”, tha Jashari, i cili lavdëron lojtarët e rinj dhe trajnerin Idrizi. “Jemi skuadër e re, me moshë mesatare, e po ashtu e kemi edhe trajnerin e ri. Deri më tani ia kemi dalë shumë mirë. Kjo ka qenë gjithmonë loja e Trepçës ‘89. E kemi edhe trajnerin, i cili i kushton rëndësi të madhe kësaj taktike të lojës, dhe për këtë jemi në rrugë të mirë.”

Majtaku nga Mitrovica shton se as që e vë në dyshim mbetjen e Trepçës ‘89 në Superligë. Në fakt, ai nuk e diskuton fare një gjë të tillë.

“Unë si kapiten nuk e diskutoj fare mbijetesën në Superligë, as nuk mendoj në atë drejtim. Unë mendoj se nëse vazhdojmë me këtë formë të mirë do të përfundojmë në vendin e katërt”, deklaroi Jashari, të cilin shokët e skuadrës e thërrasin “Muli”.

23-vjeçari e pranon se Trepça ‘89 do ta synojë Kupën e Kosovës, në mënyrë që të luajë në garat evropiane edicionin e ardhshëm. Trepça ‘89 ka arritur të kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Jashari thotë se nëse kalohet me sukses faza çerekfinale, në të cilën luhet vetëm një ndeshje, atëherë 89-shi, sipas të gjitha gjasave, do të luajë në Evropë. Trepça ‘89 është ekipi i parë nga Kosova që ka luajtur në garat evropiane kur në vitin 2018 u paraqit në raundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve.

“E kemi një lojë shumë të vështirë në kupë kundër Llapit, sepse është vetëm një ndeshje ku përcaktohet se kush kalon tutje, por përparësia jonë është se luajmë në shtëpi. Nëse e mposhtim Llapin, mendoj dhe shpresoj shumë që do të jemi në Evropë. Nuk jemi ashtu 100% të fokusuar në Kupë, por jemi në çerekfinale dhe pse mos të dalim në Evropë, pasi kemi shumë cilësi në ekip”, tha Jashari.

Sezoni 2020/2021 mund të jetë i fundit për Jasharin te Trepça ‘89. Ai tregon për ofertat e shumta që ka pasur dhe arsyen pse i mbeti besnik 89-shit. Jashari mendon se pas përfundimit të këtij sezoni është koha të bëjë hapin e madh në karrierën e tij, por thotë se për momentin është i përqendruar vetëm tek ekipi mitrovicas.

“I kam qëndruar besnik Trepçës ’89, sepse këtu e shoh veten më të avancuar dhe më të vlerësuar. Është e vërtetë se kam pasur shumë oferta, por pasi kam menduar mirë kam nënshkruar me Trepçën ‘89. Unë jam i fokusuar te klubi deri në fund të këtij edicioni dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Jashari. “Mendoj që po, ka ardhur koha për të bërë një hap të madh në karrierën time, për t’i treguar aftësitë e mia në ndonjë klub evropian”.

Jashari ka shënuar një gol dhe ka bërë edhe pesë asistime këtë sezon. Në shumicën e ndeshjeve nuk ka luajtur në pozitën e mesfushorin ofensiv, pasi ka qenë i detyruar ta ndihmojë ekipin në fazën defensive. Jashari ka qenë pjesë e rregullt edhe e Përfaqësueses U21 të Kosovës. Ndërkohë, pas 23 xhirove të luajtura, Trepça ‘89 zë vendin e pestë në tabelë me 31 pikë. “Minatorët” janë edhe në çerekfinale të Kupës së Kosovës, ku do të përballen me Llapin, ndeshje kjo që do të luhet javën e ardhshme në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Lini një përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Të fundit

Ulpiana, klubi që është afër t’i rikthehet Superligës pas më shumë se një dekade

Vijnë nga një qytet i vogël, por dëshira është shumë e madhe për të marrë pjesë në mesin e skuadrave elitare të...

Partizani, në hap me kohën…

Shkruan: Besim Kajtazi Duke shikuar logon e skuadrës së trofeshme shqiptare KF Partizani, Tiranë, e pashë se logoja që mbanë skuadra është ende ajo e...

Ademi uron besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit

Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, nëpërmjet një mesazhi ka uruar komunitetin e futbollit dhe të gjithë...

PSG-BAYERN: Francezët konfirmojnë rikthimin e madh, por ka dhe 2 mungesa

Mbrëmjen e nesërme do të luhet ndeshja e kthimit mes PSG dhe Bayern, sfidë e vlefshme për fazën çerekfinale të UEFA Champions League. Në kuadër...

Recent Comments