Federata e Futbollit të Kosovës dhe presidenti i saj Agim Ademi, së fundi kanë vendosur që ta përkrahin KF “LUGINA”, duke e ndihmuar me një fond rekuizitash dhe elementesh tjera të nevojshme për zhvillimin e stërvitjeve. Një lajm të tillë e ka bërë të ditur për “Presheva Jonë” kryetari i KF “Lugina”, Nagip Jakupi, i cili ka shprehur falënderimet ndaj FFK-së dhe presidentit Ademi, që ka shprehur gatishmërinë që klubin nga Lugina me seli në Fushë Kosovë, të mos e ndajë nga klubet tjera në Republikën e Kosovës.
“Javën që e lamë pas nga Federata e Futbollit të Kosovës kemi pranuar aprovimin e një kërkese tonë për t’u furnizuar me rekuizita, topa dhe gjësende tjera, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e stërvitjeve tona. I jemi falënderues FFK-së dhe z. Ademi për përkrahjen që po na jep, duke i premtuar se besimin dhe përkrahjen ndaj nesh, do ta shpërblejmë me punë dhe suksese”, është shprehur Jakupi.
Në anën tjetër, i kontaktuar nga “Presheva Jonë”, Ademi i cili ndodhet në Katar ku ka ndjekur nga afër finalet e Kupës së Botës për Klube, ka thënë me modesti se kjo nuk do të duhej të ishte lajm, pasi Lugina është Kosovë dhe si e tillë duhet të trajtohet. “Lugina duhet të ndihmohet njëjtë sikur çdo pjesë tjetër e Kosovës, për mua kështu funksionon dhe kështu do të jetë. Po, e kemi aprovuar një donacion të vogël kësaj here, por do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, sa herë që të ketë nevojë futbolli, në çdo cep të vendit, pa e dalluar në këtë rast KF Luginën”, është shprehur Ademi.