Lionel Messi u prezantua me një trofe rekord, të shtatin “Pichichi”, të hënën. Megjithatë, argjentinasi këmbënguli se do ta shkëmbente të tetin trofe të tillë individual, që jepet nga “Marca” për golashënuesin më të mirë sezonal në Spanjë, me fitimin e titullit në La Liga, përsëri. Sqarojmë se “Pichichi”, i emëruar në nder të sulmuesit legjendar të Athletic, Rafael Moreno Aranzadi, i dorëzohet çdo vit golashënuesit më të mirë të La Liga-s.
Ylli i Barcelonës dhe Cristiano Ronaldo luftuan rregullisht për këtë çmim gjatë kohës që ky i fundit ishte te Real Madridi, por që kur ai u largua te Juventusi më 2018, argjentinasi e ka fituar në të dyja rastet. Së fundmi falë 33 golave të tij gjatë gjithë sezonit, 2019-2020. Ky sukses i shtatë e zbriti nga froni Telmo Zarra, si fituesin më të shumtë të “Pichichi” në histori.

Me katalanasit që janë larg ritmit në 2020-2021, Messi, i cili ka shënuar vetëm 6 gola në La Liga, deri më tani, nuk ka dyshim se skuadra duhet të jetë e para në krahasim me vlerësimet e tij individuale: “Një ‘Pichichi’ i tetë? Nuk e di dhe as po mendoj për të. Nuk është diçka për të cilën jam i shqetësuar ose i fiksuar. Unë do të preferoja të fitoja La Liga-n para se të merrja ‘Pichichi’, ne po luftojmë për këtë. Po rritemi ngadalë. Nuk e meritonim të linim rrugës gjithë ato pikë, mund të kishim fituar disa nga ato lojëra, si ndaj Alaves, Getafe, Real Madrid… Krijuam shumë shanse, por nuk finalizuam. Kjo do ta kishte ndryshuar situatën. Tani duhet të luajmë së bashku ndeshje të mira për t’u kthyer përsëri në krye”.
Një nga golat më të paharrueshëm të Messit këtë sezon, në La Liga, erdhi kundër Osasuna. Pasi shënoi të katërtin në një fitore 4-0, ai hoqi fanellën e tij për të zbuluar një tjetër të Newell’s Old Boys, në nderim të të ndjerit Diego Maradona: “Ishte një ditë shumë e veçantë, sepse pata mundësinë t’i kushtoja atij atë ‘haraç’ të vogël, që kisha përgatitur. Goli i asaj dite është një kujtim i bukur. Ai erdhi një ditë shumë të veçantë, për shkak të gjithë domethënies që Diego nuk ishte më me ne”.