Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu pas barazimit në shtëpi 1:1 kundër Arbërisë, ka deklaruar se skuadra e tij ishte dominuese, por nuk arriti t’i kapitalizojë rastet që krijoi në ndeshje.
“Kemi krijuar shumë, por nuk realizuam. E kemi ditur se do të jetë vështirë sepse nuk ka ndeshje të lehta. Përveç rezultati që nuk jam i kënaqur, pa dyshim se me rastet dhe atë çfarë krijuam jam i kënaqur, por ai rregulli i pashkruar i futbollit, kur nuk shënon pëson. Arbëria nuk krijoi asnjë rast para golit. Ajo krijoi raste vetëm kur ne u vërsulëm në sulm dhe e kërkuam fitoren. Në fillim të pjesës së dytë patëm dy raste të qindpërqindta dhe sikur të realizonim do të shkonte krejt ndryshe rrjedha e ndeshjes”, ka thënë Nuhiu për Art Sport, transmeton Futbolli.info.
Sa i përket ndeshjes së mbetur me Prishtinën që Drita e zhvillon në fundjavë timonieri i kampionëve nuk ka dashur të flasë shumë. “Para Prishtinës e kemi ndeshjen për kupë, por si çdo ndeshje edhe ndaj Prishtinës do të përgatitemi në mënyrën më të mirë dhe do të mundohemi të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë tutje Nuhiu.