Llapi ka realizuar fitore tejet të rëndësishme në stadiumin “Zahir Pajaziti” në kuadër të javës së 18-të në Superligë. Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina arriti ta mposhtë Feronikelin, me rezultat 3:2, duke shijuar fitoren e tretë radhazi, me çka përfundimisht dëshmoi se ia ka dhënë fund krizës së rezultateve. Llapjanët kaluan në epërsi në minutën e 22-të në saje të autogolit të Yll Hoxhës. Epërsinë në 2:0 e shtoi Sava Gardasheviq, në minutën e 35-të. Më pas skuadra nga Drenasi e ngushtoi epërsinë me golin e Simonovskit në minutën e 43-të. Llapjanët e rikthyen epërsinë e dy golave në minutën e 62-të nëpërmjet Arbnor Ramadanit. Mirëpo, që drama të vazhdojë në këtë ndeshje u përkujdes sërish Simonovski, që realizoi golin e tij të dytë në minutën e 76-të. Megjithatë, përkundër presionit në minutat e fundit “Nikli” nuk mundi të gjejë golin e barazimit dhe kësisoj Llapi e mbylli stinorin vjeshtor me fitore, duke u ‘arratisur’ nga pozita e parafundit për herë të parë në këtë edicion.