Kryetrajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani pas barazimit pa gola me Feronikelin u shpreh i pakënaqur me epilogun e ndeshjes, por theksoi se djemtë e tij e dhanë maksimumin në këtë ndeshje.
“Nuk jemi të kënaqur me rezultatin, nuk duhet t’i bëjmë qefin vetes. Duhet të arrijmë objektivin, patjetër në çdo takim kërkojmë tre pikët. Patëm rastet e tona teksa humbëm penalltinë, por kjo ndodhë. Feronikeli nuk na lejoi të krijonim raste, pasi që kishin ardhur për barazim. Ne nuk kënaqemi me asnjë rezultat tjetër pos fitores, por duhet të kthehemi pas disa ditësh për ndeshjen tjetër”, theksoi Ramadani, duke vijuar: “Tek Leonit Abazi u vërejt lodhja që kishte teksa John shtrëngoi dhëmbët dhe vazhdoi edhe pse i lënduar, meritë e kundërshtarit është që nuk na lejoi të krijojmë” -përfundoi Ramadani.
Kjo ishte pika e 25-të sezonale në 15 ndeshje për Prishtinën.