Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, nëpërmjet një telegrami e ka ngushëlluar familjen dhe komunitetin e futbollit në Kosovë për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të brezit të artë të Prishtinës, Shefqet Sinani.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit dhe trajnerit të shquar, Shefqet Sinani. Shefqet Sinani punoi për vite të tëra në KF Prishtina dhe do të mbahet mend për cilësitë e spikatura si sportist dhe si një ndër futbollistët më të admiruar të viteve të 80-ta. Sinani duke edukuar gjeneratat e reja dhe duke përkrahur talentet e futbollit në Kosovë, ka lënë gjurmë të pashlyeshme për futbollin e sportin kosovar në përgjithësi. Në emrin tim personal dhe të MKRS-së i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Sinani, Federatës së Futbollit të Kosovës, Klubit Futbollistik Prishtina, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit sportiv në Kosovë”, thuhet në telegramin e ministres Dumoshi.