No menu items!
Ballina KRYESORE Ju flet Gentjan Mezani: Ky është pengu im! Ja çfarë mesazhi u...

Ju flet Gentjan Mezani: Ky është pengu im! Ja çfarë mesazhi u lash futbollistëve

Flamurtari, Laçi, Luftëtari dhe Gjilani. Kjo është trajektorja që ka përshkuar Gentjan Mezani, tekniku vlonjat, i cili mbylli një tjetër kapitull të hapur të karrierës së tij si trajner profesionist. Mirëpo, për 45 vjeçarin nga Vlora, aventura e tij e fundit në Kosovë te Gjilani do të mbahet mend për shumë gjëra, të cilat i sjell vetë ai në një rrëfim për Gazetën “Sheshi”.

Nga barazhi drejt Evropës për të shkruar atë që nuk e kishte arritur askush më parë dhe për të lënë në gjysmë diçka për të cilën ende ka shpresë.

Mardhëniet e tij me futbollistët, punonjësit dhe drejtuesit e klubit, tifozët, kundërshtarët dhe çdo gjë tjetër i tregon në një intervistë “pa dorëza”.

Përplasja me Bedri Grecën, dorëheqja e mëparshme dhe mesazhi që u la futbollistëve pasi mbylli derën e dhomave të zhveshjes për herën e fundit.

Intervistoi: Drilon SYLEJMANI

Gati dy vite punë te skuadra e Gjilanit mes shume peripetive të ndryshme. Është folur shumë për të ardhmen tuaj vazhdimisht, por përse vendosët të ofronit dorëheqjen pikërisht tani?!

“Është një vendim i imi që kisha marrë prej kohësh. Nuk kishte të bënte fare me rezultatet e fundit, sepse çfarëdo qofshin ato unë kisha ndarë mendjen që të mbyll ciklin tim te Gjilani pas ndeshjes derbi. Mendoja se ishte për të mirën e skuadrës që të ndryshoheshin gjërat dhe ndoshta të vinte një klimë e re. Nuk e kam shikuar fare aspektin personal, por gjithmonë atë që mund të vinte më e mira për klubin”.

Kur thoni një klimë e re brenda skuadrës dhe një ndryshim i ri, nënkupton kjo që ju nuk kishit mbështetjen e skuadrës brenda fushës së lojës?

“Jo apsolut jo. Skuadra është përgjigjur më së miri thirrjes time dhe këtë e ka dëshmuar pothuajse në çdo ndeshje. Futbollistët nuk kanë asnjë faj, ata kanë treguar gjithmonë shkallë të lartë profesionalizimi dhe kanë bërë më të mirën e mundshme, pastaj çështja e rezultateve është diçka tjetër, sepe shumë herë ne nuk kemi marrë atë që kemi merituar, pavarësisht lojës së mirë dhe angazhimit që kemi shfaqur. Kjo ndeshja e fundit ndaj Dritës është njëra prej tyre, sepse nuk e meritonim të humbisnim aspak dhe për më tepër në një mënyrë të tillë”.

Në komunikatën e klubit është thënë që keni ofruar dorëheqjen një muaj më parë, por që jeni rikthyer dhe keni vazhduar deri këtu, ku përfundon edhe zyrtarisht mardhënia juaj e punës. Cila është e vërteta këtu?

“Është plotësisht e vërtetë. Unë kam ofruar dorëheqjen time një muaj më parë, pasi që kam patur arsyet e mia familjare për të cilat kam munguar dhe nuk e kam ditur kohën se kur do të mund të isha pranë ekipit. Kam biseduar edhe me presidentin e klubit dhe i kam thënë që ndoshta është më mirë të vjen një trajner tjetër dhe të jetë afër skuadrës, pasi që rikthimi im nuk ishte i garantuar, mund të vonohesha edhe më shumë. Megjithatë, kërkesa ime nuk është pranuar. Në bisedën që kam zhvilluar me presidentin, ai ma ka shfaqur besimin e plotë dhe ma ka ofruar rikthimin, për të cilin unë jam falenderues gjithmonë dhe jo vetëm për këtë, por për të gjitha që ka bërë ai në radhë të parë për klubin dhe më pas për Mezanin si trajner. Është njeri i jashtëzakonshëm që nuk e ka shoqin”.

E ardhmja juaj në fakt ka qenë gjithmonë e diskutuar në opinonin publik në Kosovë, sidomos edicionin e kaluar. Ka qenë ky një faktor që ju ka shtyrë të merrnit vendimin për dorëheqjen?

“Kjo është njëra ndër arsyet. Sepse në radhë të parë unë jam një trajner profesionist që shikoj vetëm punën time dhe jo llafet poshtë e lartë. Përderisa jemi brenda objektivit, të cilin e arritëm në edicionin e kaluar duke qenë pjesë e Evropës, nuk kisha ndonjë arsye për ta bërë një gjë të tillë. Përjashto vitin e parë, kur erdha jashtë objektivave dhe në fundin e kampionatit, ne edhe këtë edicion jemi ende brenda tyre, mirëpo siç ju thash edhe më herët që ardhja e një fryme të re, ndoshta do t’i bënte mirë klubit dhe jo mua, pra e mendoj gjithmonë të mirën e klubit, pasi që unë e kam patur mbështetjen e presidentit edhe dje (e hënë 30 nëntor) kur ofrova dorëheqjen”.

“Këtë pjesën e presionit publik nuk e kam kuptuar asnjëherë. Analistë dhe disa nga kolegët e mi vazhdimisht më kanë sulmuar dhe të them të drejtën këtë nuk e kuptoj ende. Unë nuk jam një trajner që dëshiroj të qëndroj më zor, por jam një trajner që punën time e bëj me pasion dhe vullnet, përderisa do të kem këtë dëshirë gjithmonë do të jem i tillë. Karrierën time e kam ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, nuk ma ka falur njeri, prandaj në këtë drejtim mendoj që opinoni publik ka qenë më ashpër ndaj meje. Shpresoj të jem unë ai ‘caku’ të cilin kanë dëshiruar ta godisnin dhe jo futbollistët, sepse ardhja e tyre ka sjellur shumë risi në futbollin e Kosovës”.

Pikërisht, afrimi i futbollistëve nga kampionati shqiptar i futbollit është parë me shumë skepticizëm dhe ka patur reagime nga më të ndryshimit. Si e shihni këtë pjesë?

“Shikoni, këta futbollistë që kanë ardhur në Kosovë e kanë ngritur nivelin jo vetëm të Gjilanit, por edhe të futbollit kosovar. Nëse këta futbollistë do largohen nga Gjilani, të gjitha skuadra tjera do të vrapojnë për t’i marrë. Ne kemi arritur objektivin madhor që kishim vitin e kaluar dhe duke qenë skuadra që kemi shënuar më së shumti gola edicionin e shkuar dhe duke qenë ekipi me mbrojtjen më të mirë këtë edicion. Futbollistët janë shumë profesionist dhe unë besoj që ata që kanë lëshuar në qarkullim këta zëra ta kenë bërë për të më ‘goditur’ mua dhe jo lojtarët”.

Thatë që keni arritur objektivin me Gjilanin, ndjeheni i përmbushur apo keni ndonjë peng që ju ka mbetur për ta arritur?

“Dalja në Evropë për herë të parë në histori të klubit natyrisht se është një arritje e madhe dhe unë jam shumë krenarë që Gjilani e bëri me mua si trajner. Nuk them se është meritë ekskluzive e imja, pasi që presidenca ka investuar, lojtarët kanë dhënë maksimumin dhe ne të tjerët kemi bërë punën tonë. Mirëpo, dalja në Evropë ka qenë një arritje shumë e madhe për klubin jo vetëm në aspektin financiar për t’i mbushur arkat, mirëpo edhe për imazhin dhe të ardhmen e klubit, pasi që të tjerët e shohin si një klub që synon gjithmonë të jetë lartë e më lartë”.

“Pengu im është titulli i kampionit. Normalisht, sikurse isha trajneri parë që dola me skuadrën në Evropë, do të doja të isha edhe trajneri i parë që i solla titullin kampion. Do ta bëja në radhë të parë për presidentin sinqerisht, pasi që ka investuar dhe ka punuar shumë, ndaj duhej shpërblyer. Pastaj edhe për tifozët të cilët janë të mrekullueshëm dhe jetojnë për futbollin. Në fund fare jam unë, pasi që jam një trajner i ri dhe rrugën e trofeve mund ta vazhdoj diku tjetër në të ardhmen”.

Në fund të edicionit të kaluar keni thënë se jeni “Kampion moral i kësaj lige”, a mund të na shpjegoni në çfarë aspekti e keni patur fjalën?

“Në aspektin të cilin e dijnë të gjithë, mirëpo disa nuk e kanë guximin ta thonë. Unë kam thënë ashtu dhe i qëndroj prapa deklaratave të mia, pasi që ne kemi luajtur futboll të pastër dhe me djersë kemi marrë atë që kemi merituar. I kemi mposhtur kundërshtarët në ndeshjet direkte dhe kampionati u vendos në takimet me skuadrat tjera. Përballja ndaj skuadrave pretendente e dëshmoi më së miri se kush e meritonte kampionatin. Edhe ata që janë bërë kampion e dijnë që ne e merituam të ishim kampion. Pastaj këtu hynë edhe arbitrimi, për të cilin nuk dua të flas tani, mirëpo me tendencë, apo pa të, ne jemi dëmtuar në shumë ndeshje dhe mund të kishim më tepër pikë. Por, kjo i takon së shkuarës, teksa unë vazhdoj të mbetem i kënaqur me atë që kemi arritur si skuadër, pasi që e kemi bërë me mund dhe me djersë. Ndoshta nuk e kemi marrë atë që kemi merituar, por futbolli nganjëherë është i tillë”.

Gjatë kësaj kohe që keni qëndruar te Gjilani, ka patur gjëra që po ktheheshit në kohë do i bënit më ndryshe?

“Shikoni, unë kam bërë gjithmonë gjërat për të cilat kam menduar që mund të ishin më të mirat e mundshme të momentit. Ndoshta edhe mund të kem gabuar diku, por gjithmonë duke e menduar atë se çfarë mund të ishte më e mira për klubin”.

Është folur se nuk keni patur mardhënie të mira me ish-trajnerin e portierëve, Afrim Ajdinin, i cili u tha se u largua shkaku i juaj. Cila është e vërteta e kësaj historie?

“Unë nuk jam për të punësuar njeri, apo për të hequr. Po ta kisha bërë këtë gjë, mund ta kisha bërë në momentin e parë që kam ardhur dhe të ofroja njerëzit me të cilët mund të punoja. Unë nuk zhvilloj politikat e klubit dhe nuk jam person vendimmarrës. Kam punuar me stafin të cilin ma kanë ofruar drejtuesit e klubit edhe me trajnerin e ri të portierëve kam kaluar shumë mirë, pasi që bën punën e vet dhe është një profesionit”.

Po historia me Grecën? Vazhdoi edhe pas largimit nga Gjilani. Çfarë ka ndodhur realisht?

“Nuk kam dashur të flas asnjëherë për këtë çështje. Sepse fjalët ndonjëherë janë të momentit dhe nuk e përshkruajnë situatatën reale. Unë kam qenë ai që kam insistuar që Greca të vinte te Gjilani, madje ndoshta më shumë se për çdo futbollist tjetër. Ai është një futbollist shumë i mirë dhe kam patur pritshmëri shumë të mëdha për të. Mendoj se nuk arriti të shprehej ashtu siç duhej në fushën e lojës, sepse besoja që ai mund të jap shumë më tepër. Zgjidhja më e mirë për të ishte të ndërronte ambient, kështu që do të mund të shprehej më mirë dhe të vazhdonte karrierën e tij. Kjo është e gjitha, nuk është se kam patur ndonjë gjë kundër në veçanti”.

Çfarë keni parë te Gjilani dhe futbolli në Kosovë në përgjithësi gjatë këtyre dy vitesh gati qëndrimi këtu?

“Kampionati në Kosovë është rritur shumë, sidomos këto dy vitet e fundit të cilat unë isha këtu. Investimet janë të mëdha, ardhjet janë të mëdha, mirëpo nuk duhet pritur asnjëherë të paguhet suksesi menjëherë. Futbolli këtu është në ngritje e sipër dhe për këtë më vjen mirë, pasi që ka njerëz që investojnë në klube dhe shumë shpejtë ka për t’u ngritur ende niveli”.

Ku e shihni dallimin ndërmjet Superligës së Kosovës dhe Kategorisë Superiore?

“Dallimin më të madh unë e shoh në infrastrukturë, e cila po fillon të përmisohet edhe në Kosovë. Këto faktorë në Shqipëri janë rregulluar më përpara, por besoj që edhe këtu shumë shpejtë gjërat do të ndryshojnë për të mirë në këtë drejtim”.

Cilën ndeshje do ta mbani mend gjatë në memorien tuaj, qoftë për të mirë, apo për të keq?

“Hmmm… Të mendohem. Më vjen keq për ndeshjen e humbur ndaj Prishtinës (2-1) në udhëtim, pasi që kemi bërë njërën ndër ndeshjet më të mira dhe nuk kemi marrë atë që kemi merituar. Ndërsa sa i përket ndeshjes më të mirë, do të thoja ajo ndaj Dritës edicionin e kaluar (0-2), pasi që ajo fitore na dha moral të lartë për të vazhduar drejt objektivave dhe treguam se jemi më të mirë se rivalët që në fund morën edhe titullin, megjithëse me pikë të barabarta me ne”.

Ju kanë cilësuar si një trajner mbrojtës. Cila është përgjigjja juaj për këtë opionin kritik?

“Habitem se si dikush mund ta thotë një gjë të tillë. Mua të gjithë më njohin si një trajner që jam shumë sulmues. Ndoshta ka të bëjë me vendosjen taktike të futbollistëve, e cila mund të duket ashtu. Por, merreni shikoni numrin e golave që kemi shënuar edicionin e kaluar dhe pastaj analizojmë. Skuadra që ka shënuar më së shumti, madje në shumë ndeshje kemi shënuar mbi tre gola. Gjithmonë kam kërkoj nga futbollistët e mi ta sulmojnë kundërshtarin dhe ta atakojnë sa më shumë portën e kundërshtarëve”.

Së fundmi keni marrë një “feedback” jo të mirë në rrjetet sociale edhe nga tifozët. Cili është reagimi juaj në këtë drejtim?

“Shikoni, unë asnjëherë nuk shoh rrjetet sociale dhe nuk merrem me to. As kur më kanë sulmuar në studio televizive unë nuk kam replikuar, sepse gjithmonë kam shikuar punën time. Disa nga tifozët, jo të gjithë kuptohet, kanë patur mospëlqimet e tyre ndaj meje, por i kam marrë si një kritikë për t’u përmirësuar dhe për të punuar akoma më shumë për t’i arritur rezultatet pozitive dhe asgjë më shumë”.



Mardhënia juaj me tifozët?

“E mrekullueshme. Sikurse te “Skifterat” nuk kam parë fanatizëm dhe pasion për klubin. Na kanë mbështetur gjithmonë, në të mirë dhe në të keq. Ndaj unë jam falenderues ndaj tyre dhe ndaj çdo qytetari këtu në Gjilan që edhe pse ndoshta nuk ka ndjekur futbollin më ka ofruar mbështetjen sikurse të isha në shtëpinë time”.

Çfarë do ju mungoj nga qyteti i Gjilanit?

“Gjithçka. Puna, njerëzit, ambienti. Kam gjetur ngrohtësinë sikurse në shtëpinë time dhe asnjëherë nuk e kam ndjerë vetën se jam në një qytet të huaj. Shfrytëzoj rastin t’i falenderoj të gjitha ata që ma kanë ofruar këtë ndjesi dhe shpresoj të vazhdoj kjo klimë edhe më tej, sepse Gjilani është një qytet shumë i bukur që meriton të gëzohet me futbollin dhe nga futbolli”.

E ardhmja e Mezanit? (Sërish në Kosovë?)

“Për momentin jam duke menduar vetëm për vetën dhe familjen time. Kam nevojë të qmallem me ta dhe të qëndroj afër tyre. Nuk kam ndonjë gjë të planifikuar, ose diçka konkrete, pasi të them të drejtën ende po e ndjej vetën pjesë të Gjilanit dhe do të jem i tillë deri në fundin e sezonit, sepse çdo sukses mund të kem edhe unë sadopak merita për ekipin që krijova”.

Si gjithmonë, porosia shkon në fund. Mesazhi juaj qoftë për klubin, tifozët, apo këdo tjetër?

“Unë uroj që klubi të ketë suksese gjithmonë. U’a kam thënë edhe lojtarëve që të vazhdojnë të punojnë sa më shumë për t’i ndihmuar klubit të arrijë objektivat dhe t’i gëzojnë tifozët e mrekullueshëm, pasi që ata e meritojnë një gjë të tillë. U uroj gjithë të mirat nga thellësia e zemrës”.

Lini një përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Të fundit

Penza fiton ndaj Prishtinës dhe kalon në finale

Pikët e amerikanës Gabrielle Cooper, me sirenë ia siguroi finalen Penzës në “play-offin” e Superligës për femra. Penza ka...

Dortmundi skuadra e parë në Europë që u jep hapësirë më së shumti të rinjve

Observatori i Futbollit, CIES, ka publikuar ditën e sotme një tjetër studim të kryer prej tyre, ku listojnë klubet më të mira...

Gafa e portierit të Fenerbahçes bëhet “hit” në internet

Gafa e portierit të Fenerbahçes, Atlai Bajindir është duke bërë xhiron e internetit. Gardiani 22-vjeçar, pësoi një gol të çuditshëm në sfidën...

Dardanët e rinj arrijnë në Sofje

Kombëtarja e Kosovës U17 ka arritur në Sofje, ku më 14 dhe 16 prill do t’i luajë dy ndeshje miqësore me Kombëtaren...

Recent Comments