Ballkani ka realizuar fitoren e tretë radhazi dhe të 11-tën në këtë edicion të Superligës, duke e ruajtur epërsinë prej 5 pikësh me skuadrën e dytë në renditje, Dritën. Skuadra e Ismet Munishit, të hënën, në shtëpi e ka mundur skuadrën e promovuar në elitë, Arbërinë, me rezultat 2:1. Golat për Ballkanin i shënuan Blend Baftiu, në minutën e 8-të dhe Mirlind Daku, në minutën e 35-të. Ndërkaq, golin e vetëm për skuadrën e Arbnor Morinës e realizoi Kreshnik Bahtiri, në minutën e 45-të. Në pjesën e dytë u zhvillua një lojë shumë e fortë, por asnjëra prej skuadrave nuk arritën të gjejnë rrugën e golit.