Përzgjedhësja e Kombëtares së Kosovës në futboll për femra, Afërdita Fazlija, ka komentuar humbjen 3:0 të vashave tona ndaj Rusisë.
Dardanet pësuan golat në 12 minutat e parë.
Ndeshja u luajt në Manavgat të Turqisë dhe vlente për kualifikimet e EURO 2021.
“E kemi ditur që është ndeshje e vështirë. Kemi punuar në pjesën psikologjike, pasi në 15 minutat e parë të ndeshjes ishim në një ngërq. Mund të them se pësuam gola më shumë se sa që e merituam. Në golin e parë mendoj se ishte faul, ndërsa pas golit të tretë, u munduam të mobilizohemi, megjithatë mungesa e sulmueseve e bëri të veten. Sot luajtëm me repartin e mbrojtjes dhe mesfushës”, tha Fazlija pas ndeshjes.
“Jemi munduar që brenda lojës të bëjmë ndryshime në skemë, por mungesa e sulmueseve e bëri të veten.
Në përgjithësi, një pjesë e parë jo e mirë, ndërsa në pjesën e dytë patëm një angazhim më të madh, por Rusia dihet që është ekipë më e mirë, ndërsa tek ne kaq janë mundësitë tona”, shtoi Fazlija.
Ndeshjen e ardhshme dhe të fundit në grup, Kosova e luan me Holandën në udhëtim.