Kryetrajneri i Drenicës, Bledar Devolli ka marrë të gjitha përgjegjësitë për humbjen e pësuar në shtëpi nga Ballkani, 1:2.
“Gjërat nuk shkuan mirë dhe për këtë unë marr përgjegjësitë i pari. Ne ia dhuruam fitoren kundërshtarit. Nuk na bëri Ballkani golat, por ne i bëmë vet dhe për këtë më vije shumë keq. Ne kemi lozur futboll vetëm në 15 minutat e fundit të ndeshjes, ku e vumë në vështirësi Ballkanin dhe i realizuam gol. Po të kishim realizuar më herët, tani do flisnim ndryshe pas ndeshjes”, deklaroi Devolli për “Art Sport”.
Tekniku karizmatik foli edhe për fjalosjen që pati pas pjesës së parë me mbrojtësin Valdo Zeqaj, por theksoi se gjërat e shtëpisë nuk i nxjerr në ‘pazar’.
“Nuk kam ndonjë koment për këtë. Gjërat e shtëpisë i mbajmë në shtëpi dhe nuk i nxjerrim në pazar. Unë u kam treguar futbollistëve që nga dita e parë që jam këtu, dua punë, disiplinë dhe harmoni”, ka nënvizuar Devolli.
Drenica pavarësisht disfatës vazhdon të qëndrojë në pozitën e pestë të renditjes me 18 pikë.