Skuadra e Ballkanit e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë gabimin e Dritës, duke shënuar fitore në ndeshjen e fundit të javës së 14-të kundër Drenicës, me rezultat 2:1. Deri te fitorja në Skenderaj skuadra e Ismet Munishit arriti pa shumë vështirësi, duke e dominuar lojën. Golat për “portokallinjtë” i shënuan sulmuesi anësor Ermal Krasniqi dhe bomberi i cili nuk ka të ndalur, Mirlind Daku në pjesën e parë. Ndërkaq, Drenica u zgjua vonë nga gjumi dhe realizoi golin e vetëm në minutën e fundit nëpërmjet Azem Bejtës. Ballkani me këtë fitore e forcon pozitën e parë me 32 pikë të mbledhura, kurse Drenica zë vendin e pestë me 18 pikë të grumbulluara.