Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur i zhgënjyer me faktin që skuadra e tij pësoi humbjen e nëntë në këtë edicion, ndonëse sipas tij pati një paraqitje të mirë përballë Prishtinës.
“Ishte një ndeshje e vështirë. Pjesa e parë ishte totalisht e jona, luajtëm mençur. Por kur nuk shënon nga penalltia është e vështirë të fitosh. Patëm raste edhe në pjesën e dytë. Në çdo aspekt Llapi ishte më konkret në ndeshjen e sotme, derisa Prishtina ato dy gjysmëraste që i pat edhe i shfrytëzojë. Po vërehet që është problem që ta rikthejmë qetësinë e skuadrës, por kampionati është i gjatë. Jam munduar të ndryshojë disa pozicione të lojtarëve edhe në këtë ndeshje. Nëse luajmë kështu si ndaj Prishtinës sidomos në pjesën e parë, nuk do të thotë se ne nuk do të rikthehemi. Por pikët e humbura në ‘Zahir Pajaziti’ i kushtojnë shumë skuadrës”, ka thënë Batatina për Artsport.
Pas kësaj humbjeje llapjanët mbesin në pozitën e parafundit me vetëm 8 pikë, duke ngecur madje 8 pikë me skuadrën më të afërt në renditje, Feronikelin.