Ka ndërruar jetë ish-sekretari i KF “Trepça’89” dhe njëri nga kontribuuesit e mëdhenj të sportit në Mitrovicë, Fatmir Misini. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur klubi “Trepça ’89”, që i ka shprehur ngushëllime familjes, derisa telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit i ka dërguar edhe kreu i FFK-së. Do theksuar se Fatmir Misini ishte babai i ish-futbollistit të njohur mitrovicas, Lindrit Misini, i cili tash e sa vjet është njëri nga biznesmenët e suksesshëm mitrovicas.
Telegrami i FFK-së
E nderuara Familje Misini!
Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe njeriut që kontribuoi shumë për KF ‘Trepça’89’, Fatmir Misini, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.
Fatmir Misini përveç që ishte dashamir i madh i futbollit, për një periudhë e dha kontributin e tij si sekretar në klubin ‘Trepça’89, derisa ai dhe familja e tij në Mitrovicë u shquan vazhdimisht për mbështetjen e klubeve sportive.
Fatmiri ishte besimtar i devotshëm, njeri i urtë dhe i nderuar jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë, ndaj si të tillë do ta kujtojmë përherë.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së