Ishte i ftuar disa herë, por vetëm mbrëmë iu realizua ëndrra. Po flasim për Armend Thaqin, futbollistin e Ballkanit i cili debutoi dje për Kombëtaren e Kosovës në një ndeshje zyrtare.
Duke marrë parasysh mungesat e shumta, mbrojtësi i krahut të djathtë u ftua nga përzgjedhësi Bernard Challandes në ndeshjen e fundit për këtë vit – ndaj Moldavisë.
“Dardanët” e fituan këtë ndeshje me rezultat minimal, 1:0 duke e mbyllur këtë cikël në Ligën e Kombeve me tri pikë, derisa Thaqi u inkuadrua për disa minuta në këtë sfidë.
Debutimi me Kosovën në një ndeshje zyrtare, Thaqin e ka bërë të ndihet mirë, derisa në një bisedë me “Zeri.info” e ka cilësuar këtë moment “krenari dhe nder të madh” për të.
“Kam qenë i ftuar edhe më herët dhe kam zhvilluar dy ndeshje miqësore, mirëpo dje ishte ndeshja e parë zyrtare. Më ka bërë të ndihem shumë mirë sepse paraqitja për vendin tënd është krenari dhe nder i madh”, ka deklaruar fillimisht Armend Thaqi.
Thaqi nuk ishte i ftuar për dy ndeshjet e para të këtij muaji – ndaj Shqipërisë dhe Sllovenisë – por vetëm në ndeshjen ndaj Kombëtares moldave, derisa Thaqi thotë se është i gatshëm kurdo herë ta ndihmojë Kosovën.
“E imja është të punoj dhe të kem vazhdimësi në formë dhe paraqitje. Çdo herë që vjen ftesa do të jem i gatshëm për vendin tim. Trajneri e ka parë të arsyeshme që unë të jem në këtë ndeshje dhe është ai që vendosë. Ne duhet t’i respektojmë vendimet e përzgjedhësit”, tregon më tej ish-futbollisti i FC Prishtinës.
Përderisa trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi i ka qëndruar pranë Thaqit dhe bashkëlojtarit të tij, Mirlind Daku i cili poashtu u ftua për këto ndeshje, Thaqi ka deklaruar se ai meriton respekt maksimal.
“Trajneri Munishi meriton shumë lëvdata dhe meriton respekt maksimal sepse është një përkrahës dhe shtytës shumë i madh i të gjithëve. E falënderojmë maksimalisht sepse meriton çdo fjalë. Shpresojmë që ta gëzojmë edhe ne futbollistët atë sikur ai po bën për ne”, vlerësoi mbrojtësi kosovar.
Për fund, para ndeshjes së radhës së Ballkanit ndaj Llapit në Superligën e Kosovës, Thaqi shpreson se skuadra e tij të vazhdojë me fitore.
“Rikthehemi te ndeshjet tona dhe pas një pushimi, jemi të gatshëm maksimalisht dhe shpresojmë të vazhdojmë me fitore tutje”, përfundoi Armend Thaqi.