No menu items!
Ballina FUTBOLLI VENDOR Kosova e mbyll me fitore vitin e mbrapshtë

Kosova e mbyll me fitore vitin e mbrapshtë

Lirim Kastrati bëri pesë hapa prapa. Shikonte lëvizjen e Valon Berishës që bëhej gati për të harkuar nga ndërprerja. Berisha lëshoi një top në zonën ku ishte i vendosur sulmuesi i parë i Kosovës, Vedat Muriqi. Topin e larguar me kokë nga Eugeniu Cebotaru i Moldavisë, në rrjetë e dërgoi me gjuajtje të fortë Kastrati. Goli i tij i shënuar në minutën e 31-të doli të ishte edhe i fitores së parë të “Dardanëve” për këtë vit të mbrapshtë, si për nga rezultatet, ashtu edhe për nga situata me pandeminë Covid-19.

Për Kastratin ishte goli i parë me fanellën e Kombëtares A, derisa për Kosovën ishte fitorja e parë pas një serie negative prej dhjetë ndeshjeve. Me fitoren e vështirë të arritur të mërkurën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova siguroi pjesëmarrjen në Ligën C edhe për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Përfundoi e treta në grup me pesë pikë të tubuara derisa mbeti e fundit me vetëm një pikë. Ndërkohë, dueli tjetër i këtij grupi ndërmjet Greqisë dhe Sllovenisë ka përfunduar pa gola. Në Ligën C është promovuar Sllovenia që doli e para me 14 pikë, dy më shumë se Greqia.

“Pas një kohe të gjatë arritëm ta shënojmë fitoren e parë. Nuk ka rëndësi për mua që shënova. Është goli i parë për mua për Përfaqësuesen A, por e rëndësishme ishte fitorja me plot meritë. Ishte ndeshje e vështirë kundër Moldavisë, kjo tregoi se nuk ka përfaqësuese të dobëta. Mund të ketë favorit në letër, por në fushë duhet angazhim për fitore. Kam pasur mundësi të shënoj më shumë gola, nuk jam i kënaqur, por e rëndësishme është fitorja që kemi arritur”, ka thënë Kastrati pas ndeshjes.

Rastin e parë për Kosovën e pati Vedat Muriqi, por nuk arriti ta shtyjë topin drejt portës së moldavëve. Në minutën e 17-të, gjuajtja e Valon Berishës u bllokua pas aksionit që nisi nga Ibrahim Dresheviq. Edhe Moldavia pati rastet e veta. I pari ishte në minutën e 19-të, kur Ion Nicolaescu gjuajti mbi portë me kokë. Nicolaescu provoi edhe një herë tjetër, por kapiteni Samir Ujkani reagoi duke e pritur tentimin e tij.

Edon Zhegrova në minutën e 28-të depërtoi, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë porte.

“Kjo fitore na është dashur pas një viti shumë të vështirë dhe ndaj një kundërshtari direkt për të qëndruar në këtë ligë. Kundërshtari nuk ka pasur çka të humbë dhe ka luftuar për të fituar dhe për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën C, andaj u munduan në fund të rrezikojnë, por u përmbajtëm mirë. Patëm raste, mundësi duke mos e lejuar kundërshtarin të krijojë asgjë. Nuk i shfrytëzuam rastet e pastaj na u vështirësuan gjërat sidomos pas kartonit të kuq. Kjo fitore do të ndihmojë në aspektin psikologjik ekipin, pasi dihet situata dhe COVID na ka dëmtuar dhe penalizuar më së shumti neve. Uroj të kalojë koha e pandemisë, të jemi komplet dhe vitin e ardhshëm të fillojmë më mirë”, ka thënë ndihmëstrajneri i përzgjedhësit Bernard Challandes, Muharrem Sahiti.

Në pjesën e dytë, si Kosova ashtu edhe Moldavia i patën disa mundësi të mira shënimi, por rrjetat nuk u tundën më. Vlen të përmendet kartoni i kuq i marrë nga Dresheviq në minutën e 85-të, ndërsa mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi u inkuadrua në lojë në minutën e 89-të. Për Thaqin ky ishte debutim me fanellën e Kosovës në një ndeshje zyrtare. Ndërkohë, për shkak të lëndimit, Amir Rrahmani u detyrua të largohet para kohe për shkak të lëndimit.

“Kemi treguar karakter dhe arritëm të fitojmë këtë ndeshje të rëndësishme. Në pjesën e parë jam i kënaqur, kemi krijuar disa raste, por nuk arritëm të shënojmë. Edhe në pjesën e dytë krijuam dy raste të mira me Edonin dhe Lirimin, por në fund patëm presionin e tyre pas kartonit të kuq, megjithatë, ne arritëm fitore. Na duhet të luajmë në të ardhmen si një ekip i përbashkët”, ka thënë Herolind Shala.

Kosova fitoren e fundit e pati arritur në tetor të vitit të kaluar, kur pati triumfuar ndaj Malit të Zi në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”. Edhe Valon Berisha është ndarë i kënaqur me fitoren. Ai pranon se fitorja është arritur me shumë vështirësi.

“Pjesën e parë kemi qenë më të mirë, kemi pasur mundësi të shënojmë më shumë. Në pjesën e dytë patëm disa raste dhe kur nuk shënon, atëherë kundërshtari motivohet dhe kërkon të shënojë. Kosova ka kapacitet më shumë, por ky vit ka qenë i vështirë për të gjithë. Shkaku i situatës me koronavirus nuk kemi mundur të luajmë asnjëherë bashkë. Kemi pasur mungesa në çdo grumbullim”, ka thënë Berisha.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Moldavisë, Engin Firat, ka theksuar se futbollistët e tij nuk e kanë merituar humbjen.

“Ishte një ndeshje ku unë e urreva futbollin, sepse skuadra ime luajti shumë mirë dhe humbja nuk ishte e merituar për ne. Unë nuk e kuptoj si nuk u dha edhe kartoni i dytë i kuq për Kosovën, më saktësisht për Fidan Alitin pas të gjitha atyre ndërhyrjeve të palejueshme. Gjithsesi ky është futbolli dhe ne e dimë që Kosova ka skuadër më të mirë”, ka thënë Firat në konferencën për media.

Kosova në dhjetor të këtij viti do t’i mësojë kundërshtarët e grupit për kualifikimet e Kampionatit Botëror të vitit 2022. Ndeshjet kualifikuese për Botërorin e Katarit do t’i nisë në muajin mars.

Lini një përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu

Reklamë
Reklamë

Të fundit

Dy autogola dhe Messi “show”, Barcelona “manita” ndaj Getafes

Nuk e pati të lehtë sa duket nga rezultati, por Barcelona arriti të marrë tre pikë ndaj Getafes dhe të vazhdojë ndjeksjen...

Kosova VR siguron kalimin në Ligën e Dytë

Kampionati në Ligën e Tretë të futbollit kosovar ka për t’i zhvilluar edhe tri ndeshje deri në mbyllje të këtij edicioni, mirëpo...

Napoli turpëron Lazion

Napoli ka marrë një fitore spektakolare në shtëpi ndaj Lazios me shifrat e thella 5:2, duke i turpëruar kryeqytetasit.

Adnan Januzaj realizon gol për Sociedadin

Futbollisti shqiptar me pasaportë belge, Adnan Januzaj ka arritur të shënojë gol në sfidën që skuadar e tij Real Sociedad po e...

Recent Comments