Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes e ka publikuar listën e futbollistëve për tri ndeshjet e këtij muaji; miqësoren kundër Shqipërisë dhe dy ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë dhe Moldavisë. Këtë herë Challandes ka ftuar 27 futbollistë, derisa në listën rezervë ka lënë edhe dy lojtarë. Për herë të parë në Kombëtaren janë ftuar Betim Fazliji i skuadrës zvicerane, St.Gallen dhe sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku, i cili po kalon në formë të shkëlqyeshme në elitën e futbollit kosovar. Ndërkohë, bie në sy edhe rikthimi i Bernard Berishës, i cili në ndeshjet e muajit të kaluar nuk ishte pjesë e Kombëtares pas gjestit që bëri në ndeshjen me Greqinë, derisa në listë janë edhe Vedat Muriqi, Milot Rashica e Hekuran Kryeziu që po ashtu munguan në tetor, teksa për shkak të lëndimit do të mungojë Arbër Zeneli. Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet më 9 nëntor në Durrës, ku do t’i zhvillojë përgatitjet për miqësoren me Shqipërinë.
