Llapi ka pësuar humbjen e radhës, derisa në kuadër të xhiros së dhjetë u mposht në shtëpi nga Drita me rezultat 2-1, shkruan Gazetasheshi.
Përveç rezultatit i cili ishte zhgënjyes, llapjanët mbetën të pakënaqur me mënyrën e ndarjes së drejtësisë.
Përmes rrjetit social “Facebook”, klubi llapjan ka publikuar tri raste ku aludojnë se janë dëmtuar nga gjyqtari Visar Kastrati.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se nesër do të merret vendimi final për tërheqjen e mundshme nga garat.
“Nesër do të vendosim për këtë gjë. Ka shumë mundësi të largohemi nga garat, dhe të vazhdojmë nga Liga e Parë, të merremi me talentë”, deklaroi Batatina në “Dueli Sportiv”.
“Investimet janë të mëdha, jemi të organizuar dhe vazhdimisht dëmtohemi”, tregoi ai.
Llapi pozicionohet në vendin e nëntë me vetëm 5 pikë të mbledhura, kurse Drita tashmë renditet në vendin e dytë me 19 pikë të grumbulluara.