Klodian Duro më në fund e ka arritur fitoren e parë si trajner i Feronikelit pas katër tentimeve, pasi skuadra e tij e mundi 1:0 Llapin, ndërkohë që Drita e ka vazhduar formën e mirë duke e mposhtur Arbërinë 1:0 në ndeshjen tjetër të javës së nëntë. Ylli Hoxha ia siguroi Feronikelit atë që ishte vetëm fitorja e dytë këtë sezon dhe e para nën udhëheqjen e trajnerit të ri, Duro, pas një ecurie tejet negative pa fitore në Superligë. Hoxha shënoi në minutën e 54-të në stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas. Nikli më në fund i dha fund ecurisë pa fitore dhe tani grumbullon 10 pikë nga nëntë ndeshje në pozitën e shtatë. Llapi, në anën tjetër, edhe pse po vinte nga fitorja e parë këtë sezon kundër Arbërisë në fundjavë, dështoi sërish dhe ngel në zonën e rënies nga liga. Skuadra e Tahir Batatinës e ka vetëm një fitore këtë sezon dhe renditet e parafundit me pesë pikë, aq sa ka Besa në vendin e fundit dhe tri më pak se Drenica jashtë zonës së rënies nga liga. Në fund të ndeshjes, trajneri llapjan u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari Genc Nuza. Në ndeshjen tjetër, Drita ka shënuar fitore në Obiliq në duel me Arbërinë, me rezultat 1:0, duke e shtuar presionin ndaj Ballkanit që kryeson renditjen.
Festim Alidemaj ia siguroi tri pikët e radhës kampiones në fuqi me golin e vetëm në këtë takim. Alidemaj shënoi në minutën e 45-të. Për Arbërinë, skuadrën e promovuar sivjet në elitë kjo ishte humbja e tretë në pesë ndeshjet e fundit.